Të paktën 15 persona janë vrarë në sulmet ruse ndaj Ukrainës, përfshirë 10 viktima nga një goditje me raketa balistike në një ekspozitë pranë Kievit ku prezantohej teknologjia e dronëve.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se rreth 100 persona janë plagosur në sulmin gjatë ditës ndaj ekspozitës, ku merrnin pjesë figura të njohura nga sektori i mbrojtjes.
Ndërkohë, në qytetin lindor Sloviansk, pesë persona u vranë nga sulmet ruse me bomba ajrore të drejtuara, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Në anën tjetër, Ukraina ka kryer një sulm gjatë natës në qytetin rus Kirov, më shumë se 1.000 kilometra larg vijës së frontit, ku sipas autoriteteve lokale humbën jetën gjashtë persona dhe u plagosën 26 të tjerë. Ukraina gjithashtu sulmoi magazina të kompanisë Wildberries, një nga platformat më të mëdha të shitjeve online në Rusi.
Pas sulmit pranë Kievit, pati shqetësime për sigurinë e këshilltarit të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës, Serhiy Beskrestnov, i njohur si “Flash”, si dhe të Lyuba Shypovych, e përfshirë në zhvillimin e teknologjive për ushtrinë ukrainase. Të dy më vonë konfirmuan se ishin të sigurt.
Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yuri Ihnat, tha se sulmi ndaj ekspozitës ishte kryer me tre raketa balistike, nga të cilat vetëm njëra ishte interceptuar.
Rusia e konfirmoi sulmin, duke deklaruar se kishte përdorur armë precize me rreze të gjatë ndaj një lokacioni ku, sipas saj, po prezantoheshin dronë të destinuar për sulme ndaj objekteve civile në territorin rus.
Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se në aktivitet merrnin pjesë prodhues të dronëve, përfaqësues të forcave ukrainase të dronëve dhe shërbimeve të sigurisë që, sipas Moskës, planifikojnë sulme ndaj Rusisë.
Ky është të paktën sulmi i tretë që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022 ndaj një ekspozite të ngjashme në Ukrainë.
Sulmi ka shkaktuar reagime të shumta, pasi autoritetet ukrainase po përballen me pyetje se pse një aktivitet publik i këtij niveli ishte organizuar dhe reklamuar gjerësisht, duke rritur rrezikun e sigurisë.
Zelensky tha se incidenti po hetohet, ndërsa Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi se po punohet për të përcaktuar se kush e kishte autorizuar organizimin e aktivitetit dhe çfarë masash sigurie ishin ndërmarrë.
Sulmi pranë Kievit ndodhi vetëm disa orë pas goditjeve ukrainase ndaj një fabrike në Kirov dhe magazinave në veriperëndim të Rusisë.
Zelensky deklaroi se ishte goditur “një nga objektet më të rëndësishme ushtarake” në Kirov, që sipas tij furnizonte me komponentë për avionë dhe pajisje raketore të përdorura në sulmet ndaj Ukrainës.