Nënsekretarja për Diplomaci Publike e SHBA-së, Liz Allen, ka takuar ministrin e Jashtëm serb, Marko Gjuriq, në Beograd, nga ku janë dakorduar për të përshpejtuar rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).

Sipas njoftimit të DASH-it, gjithashtu u diskutua edhe nevoja për vazhdimin e progresit drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Nënsekretarja për Diplomacinë Publike, Liz Allen, u takua sot në Beograd të Serbisë me ministrin e Jashtëm serb, Marko Gjuriq. Nënsekretarja Allen përgëzoi ministrin e Jashtëm për emërimin e tij të fundit. Ata ranë dakord për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe SHBA-Serbi dhe përshpejtimin e përparimit të Serbisë drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në njoftimin e DASH-it.

Mes tjerash, në njoftim thuhet nënsekretarja Allen e ka vlerësuar kontributin e Serbisë në sigurinë evropiane dhe rajonale, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën.

“Nënsekretari kërkoi përparim të vazhdueshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ajo përshëndeti kontributin e Serbisë për sigurinë evropiane dhe rajonale, duke përfshirë mbështetjen e saj për Ukrainën”, thuhet në njoftim.