Skënder Perteshi nga Instituti për Siguri dhe Rezilencë ka folur për vizitën e Presidentes Vjosa Osmani dhe Ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla në veri të Kosovës në prag të ndërrimit të motëmoteve.

Ai ka thënë se kjo vizitë është zotim dhe përgjegjësi e zyrtarëve të shtetit që pjesa veriore e Kosovës është prioritet i tyre.

”Është edhe një lloj mesazhi që këto prioritete nuk do të ndryshojnë edhe në vitin 2025. Po ashtu, është edhe një zotim se nuk ka tolerancë as ndaj grupeve kriminale apo individëve që e shkelin rendin dhe ligjin’’, ka thënë Perteshi.

Ai ka thënë se viti 2024 ishte ndër më sfiduesit për institucionet e sigurisë së Kosovës pasi që ka pasur sulme të armatosura ndaj sigurisë, ndaj institucioneve ndërkombëtare dhe ndaj popullatës në përgjithësi.

Andaj ai ka thënë se për këtë si policia po ashtu edhe Qeveria e kanë pasur në top prioritet veriun e vendit.

”Është arritur një progres shumë i madh qoftë në shtrirjen e rendit dhe ligjit, qoftë në parandalimin dhe luftimin e bandave kriminale në këtë pjesë të shtetit po ashtu edhe në rritjen e besueshmërisë dhe forcimin e rendit dhe ligjit në atë pjesë’’, ka thënë ai.

Perteshi ka thënë se përkundër këtij angazhimi dhe progresit të madh që është arrit në teren, situata mbetet ende e brishtë.

Ai tutje ka thënë se ende ka kërcënime nga organizatat dhe grupet terroriste të cilat kanosin sigurinë e vendit.

Perteshi ka paralajmëruar se grupet terroriste mundë të kërcënojnë vendin duke shfrytëzuar festat, qoftë atë të vitit të ri apo edhe të krishtlindjeve ortodokse por edhe hapësirën e kalimit të marrjes së pushtetit nga presidenti i ri amerikan Donald Trump nga Joe Biden por edhe përgatitjet për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit në vend.