Përzgjedhja e anëtarit të KGJK-së, Kuvendi nuk respektoi ligjin
Të padrejta e të kundërligjshme i ka konsideruar Avokati i Popullit, veprimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për moszgjidhjen e një anëtari të ri të Këshillit Gjyqësor. Deputetët e Kuvendit dy herë kanë tentuar që të zgjedhin një anëtar të Këshillit, por që asnjëri nga dy kandidatët nuk i morri votat e nevojshme, për […]
Të padrejta e të kundërligjshme i ka konsideruar Avokati i Popullit, veprimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për moszgjidhjen e një anëtari të ri të Këshillit Gjyqësor.
Deputetët e Kuvendit dy herë kanë tentuar që të zgjedhin një anëtar të Këshillit, por që asnjëri nga dy kandidatët nuk i morri votat e nevojshme, për çka edhe është vendosur që konkursi të përsëritet.
Por, ky vendim sipas institucionit të Avokatit të Popullit është në kundërshtim me Ligjin për Këshillin Gjyqësor.
Kjo për shkak se bazuar në këtë ligj, nëse kandidatët në raundin e parë nuk marrin votat e mjaftueshme, atëherë në raundin e dytë konsiderohet i zgjedhur kandidati me numrin më të madh të votave.
Në mendimin e këtij institucioni, thuhet se Kuvendi nuk duhet të paraqes veprime bllokuese për funksionalizimin e institucioneve.
“Avokati i Popullit konsideron se Kuvendi duhet të luaj rol aktiv në ushtrimin e kompetencave të tij në drejtim të funksionalizimit të organeve të pushteteve të tjera, funksionimi i të cilave varet nga veprimet e tij, e assesi nuk duhet që me veprimet e tij Kuvendi të paraqitet si bllokues i funksionimit të organeve apo institucioneve që bëjnë pjesë në pushtet e tjera shtetërore”, Mendim i Avokatit të Popullit.
Për këtë cështje zyrtarë të Kuvendit të Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje që nga java e kaluar, por kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj ka thënë se është më rëndësi që pozitat të mos mbesin vakante dhe se besojnë që kuvendi do e trajtojë opinionin e Avokatit të Popullit.
“Ne e kemi shiku opinionin, i referohet Kuvendit. Për KGJK-në është me rëndësi me u plotësu sa ma shpejtë pozitat vakante, përndryshe ne besojmë që Kuvendi e trajton opinionin e Avokatit të Popullit sepse është me rëndësi të respektohet procedura e perzgjedhjes por njëkohësisht edhe të drejtat e kandidatëve”, ka thënë Albert Zogaj – kryesues i KGJK-së.
Të njëjtën e thonë edhe nga Instituti i Kosovës për drejtësi, të cilët thonë se konkursi do të përsëritet, por veprime të njëjta nuk duhet të ndodhin edhe në të ardhmen.
“Ligji për KGJK-në është i qartë në këtë drejtim, dhe për më tepër është përcaktuar edhe si një garanci në atë mënyrë, që të mos bllokohet puna e Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga pamundësia e Kuvendit për të zgjedhur antarët e KGJK-së, dhe po shohim këso veprime që nuk është interpretuar në mënyrë adekuate një ligj kaq i qartë”, ka deklaruar Gzim Shala – IKD.
Shala shton se me këto veprime Kuvendi, po i shkakton dëme Këshillit Gjyqësor.
Sipas Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, nga 13 anëtarë që i ka ky institucion, 6 nga ta zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës.















