Këta personazhe që po dalin një nga një në skenë e po rrëmbejnë çmime, sot kanë fituar një epitet të ri.

Disa janë mjekë, disa staf arsimor e zyrtarë komunalë. Ata këtë të premte janë përzgjedhur si Ikona të Integritetit në komunën e Gjakovës dhe Prishtinës.

Organizata “Ubo Consulting” ka implementuar një kampanjë bashkë më USAID-in, për të përzgjedhur zyrtarët publikë më të ndershëm në këto dy komuna.

Qytetarët kanë pasur mundësi të propozojnë zyrtarë e shërbyesë civilë që kanë qenë të pranueshëm dhe transparentë për publikun.

“Një nismë e cila ka për qëllim të identifikojë, promovojë dhe falënderojë zyrtarët publikisht me integritet të lartë që shkojnë përtej detyrave të tyre”, ka deklaruar Valon Feka nga “Ubo Consulting”.

Përderisa dikujt i kishte mbetur merak që të zgjidhej vetë ikonë integriteti.

“Edhe na politikanët kemi nevojë me pasë modele të integritetit edhe  me i promovu, por projekti dhe kriteret nuk i kanë lejuar politikanët të jenë pjesë e projektit”, ka deklaruar
Alban Zogaj, nënkryetar i Prishtinës.

Tepër i kënaqur me të përzgjedhurit, sidomos në komunën e tij, u tregua Ardian Gjini.

“Jam shumë i kënaqur që i kam tre kolegë të mi këtu, edhe me i përzgjedh vetë nuk kisha ditë më mirë, ka edhe shumë shërbyes civilë në komunën e Gjakovës që e meritojnë”, ka deklaruar Gjini.

“Integrity icon” është kampanjë globale që zhvillohet në shumë vende të botës.