Shkuarja në pazar për tu furnizuar me gjëra ushqimore e lojërat e fëmijëve pasqyrojnë qetësinë në Banjskë të Zveçanit, pesë ditë pasi aty u krye akt terrorist nga një grup i serbëve.

Prandaj, që një gjë e tillë mos të ndodhë përsëri, aty vazhdojnë të jenë Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës, që kanë zënë pozicionet e tyre.

Pos patrullimeve të njësive speciale opearacionale, nga ajri po monitorojnë edhe KFOR këtë të premte.

Efektivët, nuk kanë se si të mungojnë as aty ku edhe kriminelët kishin zënë vendin para se të iknin maleve, pikërisht tek manastiri i Banjskës.

Secili zyrtar kishte detyrën e tij për të mos e lënë asnjë gjë të ik nga sytë e tyre.

Poshtë manastirit, tek udhëkryqi i Banjskës, është patrulla e tjetër që përkujdeset për kërkesat e qytetarëve aty dhe për ata që dëshironin të hynin në këtë fshat.

Në zonat veriore për shkak të bastisjeve të kryera kishte më shumë zyrtarë e automjete të Policisë së Kosovës, për çka këta të fundit u kujdesën që t’i tregojnë qytetarëve që nuk kishin arsye të shqetësohen.

“Operacioni policor është duke vazhduar nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, me prezencën në vend ngjarje të Prokurorit (të PSRK-së). Me këtë rast Policia e Kosovës njofton qytetarët se nuk kanë nevojë për ndonjë shqetësim”, kanë thënë policia.

Pos patrullimeve nga ajri, KFOR-i monitoronte gjendjen edhe nga toka në asistim të Policisë së Kosovës.