Një operacion i përbashkët i Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe legalizim të përmbajtjes së rreme, i cili më pas është identifikuar si person i kërkuar ndërkombëtarisht.
Sipas komunikatës, rasti ka nisur më 17 qershor 2026, kur një person me inicialet B.K. ishte paraqitur në Agjencinë e Regjistrimit Civil për të vazhduar dokumentet e identifikimit.
Gjatë procesit të verifikimit, zyrtarët kanë konstatuar se identiteti i përdorur nga ai i përkiste një personi tjetër, i cili kishte vdekur prej shumë vitesh. Kjo ka ngritur dyshime për keqpërdorim të identitetit dhe falsifikim të dokumenteve.
Pas veprimeve fillestare hetimore, personi është shoqëruar në Polici dhe është intervistuar në prani të mbrojtësit të tij. Ai ka zgjedhur të mos deklarohet, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë. Gjykata më pas ka caktuar masën e paraburgimit.
Për të zbardhur identitetin e tij të vërtetë, autoritetet kosovare kanë aktivizuar mekanizmat e bashkëpunimit ndërkombëtar përmes Interpolit dhe Europolit, duke shkëmbyer të dhëna biometrike, përfshirë edhe gjurmët e gishtërinjve.
Nga informacionet e siguruara përmes bashkëpunimit me autoritetet e disa shteteve evropiane, përfshirë Gjermaninë, Francën, Austrinë, Belgjikën, Shqipërinë dhe Hungarinë, është konstatuar se i dyshuari kishte përdorur pesë identitete të ndryshme, kryesisht të lidhura me Kosovën, Shqipërinë dhe Greqinë.
Hetimet e mëtejshme, në bashkëpunim me autoritetet e Gjermanisë dhe Shqipërisë, kanë bërë të mundur identifikimin e identitetit të tij autentik. Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për shtetasin shqiptar me inicialet E.K., i cili rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes njoftimit të kuq të Interpolit (“Red Notice”).
Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se personi është i dënuar me 17 vjet burgim për veprat penale “vrasje” dhe “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”.
