Pesë persona rezultojnë të zhdukur të premten, pasi një shpërthim shkaktoi shembjen e një ndërtese banimi në një zonë turistike të Athinës qendrore, duke plagosur tre persona dhe duke dëmtuar banesa, dyqane dhe automjete në një lagje historike.
Nuk dihet ende se çfarë e shkaktoi shpërthimin në ndërtesën dykatëshe në Plaka, pranë disa prej atraksioneve më të njohura të Athinës, përfshirë Akropolin dhe Tempullin e Zeusit, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Ndërtesa ku ndodhi shpërthimi u shkatërrua pothuajse tërësisht, duke lënë pas struktura metalike të deformuara, ballkone të dëmtuara dhe pllaka betoni të varura. Nga shpërthimi, gurë dhe xhama të thyer u shpërndanë deri në tre blloqe larg.
Ekipet e zjarrfikësve po kërkonin pesë persona, mes tyre edhe një çift të moshuar që jetonte në ndërtesë, tha një zyrtar. Një pjesë e objektit ishte dhënë me qira për turistë, sipas një zyrtari të policisë.
Zona është e njohur për numrin e madh të hoteleve dhe apartamenteve me qira afatshkurtër. Rrugët e ngushta, të mbushura me kafene dhe dyqane suveniresh, frekuentohen çdo ditë nga mijëra turistë.
Zjarrfikësit dhe ambulancat mbërritën në vendngjarje herët të premten, ndërsa tymi ngrihej mbi monumentet e lashta të qytetit.
“Ishte sikur të shpërthente e gjithë ndërtesa, i gjithë blloku. Aq i fuqishëm ishte”, tha banori vendas Andreas Martzaklis.
Autoritetet bënë të ditur se një kalimtar i rastit u plagos. Ndërkohë, dy gra që kishin mbetur të bllokuara në një ndërtesë ngjitur u shpëtuan dhe po merrnin trajtim në spital.