Policia e Kosovës ka njoftuar për disa raste të dhunës në familje të raportuara brenda 24 orëve të fundit në rajone të ndryshme të vendit.

Në Prishtinë, në tri raste të ndara, janë raportuar incidente brenda familjes. Në orët e para të mëngjesit të datës 9 korrik, rreth orës 00:10, një përleshje ka ndodhur mes një babai dhe birit të tij pas një mosmarrëveshjeje. Të dy janë shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit, janë liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Një tjetër rast është raportuar po në Prishtinë, më 9 korrik, rreth orës 20:00, ku një vajzë ka pësuar dhunë fizike nga prindi i saj. Edhe në këtë rast, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Po ashtu në kryeqytet, më 9 korrik, në orën 22:00, është arrestuar një burrë i dyshuar për dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Viktima ka refuzuar trajtimin mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje pas vendimit të prokurorit.

Ndërkohë në Graqanicë, një grua ka raportuar se për një periudhë prej dy vitesh është përballur me dhunë fizike dhe psikike nga partneri me të cilin bashkëjetonte. I dyshuari i kishte marrë edhe çantën me dokumente personale, telefonin dhe raporte mjekësore. Viktimës i është ofruar ndihmë mjekësore dhe pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Një tjetër rast shqetësues është raportuar në Malishevë, ku më 9 korrik, një grua ka njoftuar policinë për dhunë të ushtruar nga bashkëshorti i saj. Nga i dyshuari është sekuestruar një armë gjuetie me 16 fishekë, ndërsa me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo formë të dhunës dhe të kërkojnë ndihmë përmes institucioneve përkatëse.