Policia e Kosovës ka njoftuar për pesë raste të veçanta të armbajtjes pa leje të evidentuara në raportin 24-orësh në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Në Obiliq, më 8 qershor 2025, rreth orës 02:15, një person është arrestuar pasi gjatë kontrollit në veturën e tij është gjetur dhe konfiskuar një armë pistoletë me katër fishekë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti po trajtohet në procedurë të rregullt.

Në Prishtinë, të njëjtën ditë, në orën 20:40, pas një mosmarrëveshjeje mes disa personave, policia sekuestroi dy pistoleta dhe 112 fishekë tek dy të dyshuar. Pas inicimit të rastit dhe në konsultim me prokurorin, të dyshuarit u liruan dhe procedura vazhdon në procedurë të rregullt.

Në Prizren janë raportuar dy raste:

  • Në orën 02:20, një person është arrestuar pasi i është gjetur një pistoletë. Pas intervistimit, ai është liruar me vendim të prokurorit, ndërsa rasti mbetet në hetim.
  • Në një rast tjetër në orën 21:05, një tjetër i dyshuar është arrestuar pasi i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gas. Me vendim të prokurorit, ai u dërgua në mbajtje.

Ndërsa rasti i pestë është në Deçan, ku rreth orës 18:00 të së njëjtës ditë, një person është ndaluar pasi i është gjetur një pistoletë me dy fishekë. Pas procedurave të para, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës vazhdon t’i trajtojë me prioritet rastet që lidhen me armëmbajtjen pa leje, duke theksuar rëndësinë e respektimit të ligjit dhe sigurisë publike.