Pesë të plagosur nga sulmi rus në Harkiv mes armëpushimit të brishtë

Një dron rus goditi një ndërtesë banimi shumëkatëshe në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, thanë autoritetet, duke plagosur të paktën pesë persona dhe duke sfiduar armëpushimin treditor të shpallur për kremtimet e Ditës së Fitores.

Sulmi ndaj ndërtesës në Harkiv ndodhi vonë më 9 maj, disa orë pas përfundimit të paradës vjetore të Rusisë në Sheshin e Kuq.

Ngjarja, e cila ishte dukshëm më e kufizuar krahasuar me vitet e kaluara, u zhvillua mes kërcënimeve të tërthorta nga Ukraina për ta penguar atë dhe kërcënimeve të hapura e të zemëruara nga Moska për hakmarrje ndaj Kievit.

Presidenti i Ukrainës publikoi një deklaratë tallëse para ngjarjes, duke thënë se ai po autorizonte mbajtjen e paradës së Kremlinit.

Autoritetet ukrainase thanë se dhjetera dronë rusë u vërejtën mbi Ukrainë gjatë natës.

Zyrtarët rusë, ndërkaq, raportuan për gati 100 dronë ukrainas mbi rajonin e Kurskut, që kufizohet me Ukrainën. Aleksandr Hinshtejn, guvernatori rajonal, tha se nuk ishte raportuar për të lënduar.

Në Belgorod, një rajon tjetër që kufizohet me Ukrainën, të paktën tetë persona u raportuan të plagosur nga sulmet me dronë ukrainas, sipas guvernatorit rajonal Vjaçesllav Gladkov.

Armëpushimi është paraparë zyrtarisht të përfundojë më 11 maj. Këshilltari i Kremlinit për politikë të jashtme, Juri Ushakov, u tha gazetarëve se nuk ka diskutime në vazhdim për ta zgjatur armëpushimin.

Po ashtu, tha Ushakov, nuk ka plane për rifillimin e bisedimeve të paqes, të cilat Shtetet e Bashkuara kanë shtyrë përpara.

Duke folur gjithashtu para gazetarëve më 9 maj, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se mendon që lufta në Ukrainë po i afrohet fundit dhe sinjalizoi se dëshiron të negociojë marrëveshje të reja sigurie për Evropën.

Bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës së plotë, tashmë në vitin e saj të pestë, kanë ngecur pjesërisht për shkak të kërkesave të ashpra të Rusisë, të cilat përfshijnë tërheqjen e trupave ukrainase nga territoret në rajonin lindor të Donbasit që ato ende i kontrollojnë./Radio Evropa e Lire

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika