Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë të ditur emërimin e Peter Due nga Danimarka si Përfaqësuesin e tij të ri Special dhe Shef i Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Siç bëhet e ditur në njoftim, Due pason Caroline Ziadeh nga Libani, të cilës Sekretari i Përgjithshëm i është mirënjohës për përpjekjet e saj të përkushtuara për të çuar më tej paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon, si dhe për udhëheqjen e saj efektive të Misionit, njofton Dukagjini.

Due vjen në këtë pozicion me 30 vjet përvojë të gjerë në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

“Që nga viti 2019, ai ka shërbyer si Drejtor për Azinë dhe Paqësorin në Departamentet e Çështjeve Politike dhe të Ndërtimit të Paqes dhe Operacioneve të Paqes. Më parë, ai ishte Drejtor për Azinë, Lindjen e Mesme, Evropën dhe Amerikën Latine në Departamentin e Operacioneve Paqeruajtëse (2015-2019). Due shërbeu gjithashtu si Përfaqësues i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shef i Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Beograd (2013-2015), dhe ishte Zyrtar i Çështjeve Politike me UNMIK-un në Prishtinë. Në Nju Jork, pozicionet e tij kanë përfshirë gjithashtu Shef Zyre/Asistent Special i Nënsekretarit të Përgjithshëm për Operacionet Paqeruajtëse (2009-2013), Udhëheqës Ekipi për Afrikën Perëndimore (2008-2009) dhe Udhëheqës Ekipi për Evropën dhe Amerikën Latine (2008)” thuhet në njoftim.

Përveç detyrave të tij me Kombet e Bashkuara, Due shërbeu në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Danimarkës, në Kopenhagen dhe në Eritrea.

Due ka një diplomë Bachelor dhe një diplomë Master në Filozofi, Politikë dhe Ekonomi nga Universiteti i Oksfordit, Mbretëria e Bashkuar; një diplomë Master (M.A.) në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare në Gjenevë, Zvicër; dhe një diplomë Master (M.SC.) në Shkenca Sociale dhe Filozofi nga Universiteti i Kopenhages, Danimarkë.

Përveç gjuhës së tij amtare daneze, ai flet anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht.