Peticioni i LS-së për urat, Kuçi: Serbia është ajo që ka prishur ura e jo Kosova
Kuvendi i Kosovës gjatë vikendit ka qenë objekt i një kërcënimi me bombë, mesazh i ardhur nga një numër telefoni i regjistruar në Serbia. Mesazh të cilin institucionet e sigurisë e kanë cilësuar si një sulm hibrid nga Serbia. Ministri në detyrë i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se ky mesazh ka ardhur […]
Kuvendi i Kosovës gjatë vikendit ka qenë objekt i një kërcënimi me bombë, mesazh i ardhur nga një numër telefoni i regjistruar në Serbia. Mesazh të cilin institucionet e sigurisë e kanë cilësuar si një sulm hibrid nga Serbia.
Ministri në detyrë i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se ky mesazh ka ardhur nga kompania telefonike MTS dhe përdoruesi i tij është identifikuar si Lazar Zhivkoviq.
Sipas njohësit të sigurisë, Gurakuç Kuçi kërcënimi i fundit nga ana e Telekom Serbisë, ka qenë për të treguar se ata akoma vazhdojnë me një luftë dhe se kanë një aftësi operative kundër institucioneve të Kosovës.
Kuçi ka thënë për KosovaPress, se Telekom Serbia është pjesë e strategjisë hibride kundër Kosovës dhe vendeve të rajonit, duke mos bashkëpunuar asnjëherë me Policinë e Kosovës, duke fshirë të dhënat për sulmet terroriste dhe duke i kamufluar ato.
Në anën tjetër, sot Lista Serbe ka nisur një peticion kundër ndërtimit të urave mbi lumin Ibër, i cili do të përcillet bashkësisë ndërkombëtare.
Rreth kësaj, Kuçi ka thënë se Lisa Serbe është një strukturë e cila prodhon vazhdimisht persona që janë në kuadër të kriminelëve, duke krijuar mundësi dhe kërcënime kundër Kosovës.
Sipas tij, urat në asnjë vend të botës nuk janë kërcënim për ndarje etnike por model i bashkëpunimit.
Kuçi ka shtuar se veprimet e Serbisë janë në kuadër të angazhimeve të ndryshme që të mos lejojnë një bashkëpunim edhe të vet serbëve të Kosovës me institucionet e Kosovës, duke e parë këtë si një kërcënim të humbjes së pushtetit të Listës Serbe në tërësi dhe Vuçiqit.
Kuçi ka theksuar se dërgimi i peticionit në institucione të BE-së, është një praktikë e vazhdueshme e tyre.
Sipas tij, peticioni i Listës Serbe nuk mund ta ndal ndërtimin e urave në Mitrovicë, pasi që nuk paraqesin asnjë lloj rreziku.
Intervista e plotë në sistemin me parapagim./KP















