Peticioni që është shpërndarë sot në rrjete sociale dhe në disa media në emër të platformës qytetare “Liria ka emër” nuk është organizuar nga kjo platformë.

Burime të Dukagjinit brenda “Liria ka emër” kanë konfirmuar se peticioni është i rremë dhe se platforma nuk qëndron pas tij.

Sipas të njëjtave burime, rasti është raportuar edhe në Polici, për shkak të dyshimeve se përmes këtij peticioni mund të jenë mbledhur të dhëna personale të qytetarëve.

Peticioni ka nisur të qarkullojë online pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe është paraqitur si nismë e platformës “Liria ka emër”.

Në përmbajtjen e tij pretendohet se kërkohet, ndër të tjera, shqyrtimi i provave, respektimi i standardeve të gjykimit të drejtë dhe mundësia për ankim.

Megjithatë, burimet pranë platformës kanë mohuar se “Liria ka emër” ka organizuar apo autorizuar një peticion të tillë, duke bërë thirrje për kujdes ndaj qytetarëve që mund të kenë plotësuar formularin dhe kanë dhënë të dhëna personale.