Banorëve të veriut të Kosovës, shpejtë mund t’u vie koha që t’u drejtohen përsëri kutive të votimit.

Peticionet për shkarkimin e kryetarëve të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit, tashmë janë në zyret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Për këtë çështje, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti gjatë ditës në një takim kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

“Presidentja shprehu besimin e saj se KQZ-ja, si institucion përgjegjës për administrimin e votimit, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura dhe brenda afateve që ky proces të realizohet duke respektuar këtë të drejtë të qytetarëve në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”.

Tash për tash, KQZ-ja është duke e vërtetuar validitetin e nënshkrimeve dhe Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës, thekson që puna kryesore i ka mbetur këtij institucioni.

“Në rast se KQZ-ja kontaton që nuk janë së paku 20 përqind e votuesve të regjistruar në listën e nënshkrimeve, ju jep afat tre ditor grupi nismëtar apo atyre që kanë inicu një kërkesë të tillë që ta plotësojnë të njëjtën me numrin përkatës, siç është 20 përqind e votuesve të regjistruar”, ka thënë Vullnet Bugaqku – KDI.

Në rast se KQZ konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë valide, atëherë votimi për shkarkimin e kryetarit duhet të mbahet brenda 45 ditëve. Që votimi të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 përqind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.