Petkoviq: Kosova nuk pranoi propozimet tona për targat dhe dokumentet

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petkoviq, ka thënë se Serbia ka prezantuar propozime për zgjidhjen e çështjes së targave dhe dokumenteve serbe para një shtatorit, por ato nuk janë pranuar nga Kosova

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq

Të premten e 19 gushtit, shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, në një konferencë për media në Beograd, ka thënë se në raundin e dialogut në Bruksel, Serbia ka prezantuar propozime për zgjidhjen e çështjes së targave dhe dokumenteve serbe para një shtatorit, por ato nuk janë pranuar nga Kosova.

Sipas Petkoviqit, propozimi i parë kishte të bënte me letërnjoftimet dhe se Serbia ishte e gatshme të pranonte atë që ishte rënë dakord në Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes nga viti 2011, edhe pse, siç thotë ai, ajo marrëveshje që ishte arritur nga ish-negociatorët Borko Stefanoviq dhe Edita Tahiri, “nuk ishte e mirë”, raporton REL.

Ai ka shtuar se Serbia ishte e gatshme të lëshonte një dokument për hyrje-dalje për “qytetarët e Serbisë që banojnë në Serbinë qendrore, kur të shkojnë në Kosovë, në vendkalimin administrativ të Prishtinës”, por se kjo nuk do të vlente për serbët nga Kosova.

“Serbët që jetojnë në Kosovë nuk janë serbë, që, sipas pikës tre [të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes të vitit 2011], udhëtojnë transit në një vend të tretë. Destinacioni përfundimtar i serbëve që jetojnë në Kosovë nuk është Shqipëria e Greqia. Destinacioni i fundit është pragu i shtëpisë së tyre”.

Ndërkaq, Petkoviq për propozimin e dytë të Serbisë, ka thënë se kishte të bënte me targat.

Ai ka thënë se propozimi ishte që t’i përmbahen sërish marrëveshjes së vitit 2011.

“Por, ne kemi propozuar që të gjithë pronarët e automjeteve që kanë targa KM të riregjistrohen me targa KS. Kurti ka refuzuar këtë kategorikisht”, tha Petkoviq.

Petkoviq shpreson që të arrihet paqe dhe stabilitet, dhe të gjendet një zgjidhje para një shtatorit.

Ndërkaq të enjten e 18 gushtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian (BE).

Në ndërtesën ku po mbahej takimi, ishin të pranishëm Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialog Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në ndërtesën ku po mbahej takimi ka qenë i pranishëm edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar.

Pavarësisht takimeve të gjata dypalëshe e tripalëshe, në këtë ditë nuk u arrit marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Po në këtë ditë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka ftuar serbët e Kosovës në një takim të dielën në Beograd, takim në të cilin janë ftuar të gjithë përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve nga Kosova.

Ndërkaq, në pasditen e së enjtes, pas pesë orësh që kishin zhvilluar takime, shefi i diplomacisë evropiane, Borrell, në një konferencë për media ka bërë të ditur se në takimin në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk u arrit asnjë marrëveshje.

Ai tha se përkundër dështimit për një marrëveshje, dialogu do të vazhdojë ditëve në vijim.

“Fatkeqësisht nuk kemi arritur marrëveshje në takimin e sotshëm, por nuk është përfundimi i këtij tregimi, të dy liderët janë pajtuar që procesi duhet të vazhdojë që diskutimet të rifillojnë në ditët në vijim, ka kohë deri më 1 shtator, nuk ka marrëveshje ditën e sotme, do të vazhdojmë kërkimin për zgjidhje, ky diskutim do të vazhdojë”, ka deklaruar Borrell.

Borrell u shpreh se për çdo eskalim të gjendjes në terren, të dyja palët do të jenë përgjegjëse, teksa tha se takimi i ditës së enjte nuk ishte takim i rregullt, por ishte më shumë një takim për t’i zgjidhur tensionet në veri të vendit.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika