Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka vazhduar retorikën akuzuese ndaj institucioneve të Kosovës, duke tentuar të paraqesë masat standarde të sigurisë të Policisë së Kosovës si veprime të drejtuara kundër besimtarëve serbë.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Petkoviq pretendoi se policia kreu kontrolle “të panevojshme dhe tendencioze” ndaj qytetarëve që morën pjesë në shënimin e festës së Manastirit të Kryeengjëjve të Shenjtë në Prizren. Ai i cilësoi këto kontrolle si “akt represioni” dhe akuzoi autoritetet e Kosovës, pa prova se kinse penguan edhe punën e disa mediave në gjuhën serbe.
Në përpjekje për të dramatizuar situatën, Petkoviq ka thënë se “qëllimi ishte të krijohej një Gazimestan i ri”, duke rikthyer një narrativë politike të përdorur prej vitesh nga Beogradi për të paraqitur Kosovën si kërcënim ndaj komunitetit serb dhe për të nxitur tensione politike.
Megjithatë, kontrollet e Policisë së Kosovës në ngjarje me numër të madh pjesëmarrësish janë procedura të zakonshme sigurie, të cilat zbatohen pa dallim etnie apo përkatësie fetare dhe kanë për qëllim parandalimin e incidenteve dhe garantimin e sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve.
Kjo qasje e Petkoviqit synon jo vetëm diskreditimin e institucioneve të Kosovës në arenën ndërkombëtare, por edhe ushqimin e narrativave viktimizuese për qëllime politike të brendshme në Serbi.
Autoritetet e Kosovës kanë theksuar vazhdimisht se Policia e Kosovës vepron ekskluzivisht në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale, me misionin për të garantuar rendin, sigurinë dhe mbrojtjen e të gjitha komuniteteve, pa dallim.
Po ashtu, Dukagjini nga tereni merrr vesh se nuk ka pasur as edhe një provokim të vetëm nga ana e policisë, por po ashtu as nuk ka pasur raportime në institucionet e rendit për ndonjë incident në këtë manifestim.