Petkoviqi i reagon Hovenierit: Lista Serbe është zë i serbëve dhe jo i ambasadave
Drejtori i ashtuquajtur i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj ambasadorit amerikan në Kosovë, duke pretenduar se kufijtë e Kosovës janë ato të Serbisë sipas Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244. Në anën tjetër, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, e ka rikonfirmuar se SHBA e njeh Kosovën si shtet sovran, […]
Drejtori i ashtuquajtur i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj ambasadorit amerikan në Kosovë, duke pretenduar se kufijtë e Kosovës janë ato të Serbisë sipas Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244.
Në anën tjetër, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, e ka rikonfirmuar se SHBA e njeh Kosovën si shtet sovran, të pavarur dhe demokratik dhe nuk ka dyshime për këtë.
“Ne e dimë mirë @USAmbKosovo ku janë kufijtë në Kosovë ata janë kufijtë e Serbisë në përputhje me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të OKB-së”, ka thënë Petkoviq.
“Dhe Lista Serbe është zgjedhja dhe zëri i popullit serb që mbron interesat kombëtare të popullit të tij në Kosovë, jo të ambasadave të huaja”, ka shkruar në Twitter.
We know well @USAmbKosovo where borders in K&M are, those are borders of Serbia in accordance with the UN Charter and UN Resolution 1244. And the Serbian List is the choice and voice of Serbian people defending national interests of its people in K&M, not of foreign embassies. https://t.co/8cFCtzcVp6
— Петар Петковић (@PetkovicPetar) August 1, 2023
Ndërsa, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, të martën para mediave ka theksuar se nuk vihet në pyetje fakti se Kosova është shtet sovran e se Lista Serbe është parti politike opozitare në Kosovë si çdo tjetër.
“SHBA-ja e konsideron Kosovën të jetë, dhe që nga viti 2008, nga shpallja e pavarësisë, ne e kemi njohur të jetë shtet sovran, i pavarur dhe demokratik. Puna që bëjmë ne me Listën Serbe, si parti politike e Kosovës, është puna që e bëjmë edhe me të tjera parti opozitare në Kosovë. Nuk duhet të ketë pyetje apo sugjerim për qëndrimin e SHBA-së se Kosova është tjetër pos shtet i pavarur. Dhe kjo përfshin veriun e Kosovës, siç e kam thënë shumë herë, ne e dimë saktësisht ku është kufiri. Ne duam që Lista Serbe ta luajë rolin e vet si parti politike në Kosovën sovrane, të pavarur dhe demokratike. Ne nuk e konsiderojmë parti politike serbe, e konsiderojmë si parti e serbëve etnikë në Kosovë. Duhet ta bëjmë këtë të qartë”, ka thënë ambasadori.















