Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar të martën se janë pezulluar gjashtë zyrtarë të kësaj Ministrie, pas hetimeve se shfrytëzuan parkingun e institucionit për të dhënë vetura me qira.

Sveçla ka thënë se do të vazhdojnë përpjekjet që keqpërdoruesit të ballafaqohen me drejtësinë.

“Referuar rastit të keqpërdorimit të detyrës nga zyrtari i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Riza Alshiqi, për përfitimet e biznesit të tij ‘Rent a car’ në dëm të aseteve shtetërore, përveç inicimit të rastit për hetime në Policinë e Kosovës, i njëjti bashkë me 5 zyrtarë të të njëjtit departament sot janë pezulluar nga detyra. Do të vazhdojmë me përpjekjet tona që të gjithë keqpërdoruesit t’i ballafaqojmë me drejtësi, teksa zyrtarët e përkushtuar për punë me profesionalizëm e përkushtim do të jenë në nivelin më të lartë të detyrës e në shërbim të qytetarëve tanë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.