Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë kthyer të hënën në Kosovë nga Turqia, ku kanë ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit, pas tërmeteve të 6 shkurtit që kanë lënë të vdekur mbi 40.000 njerëz.

Pjesëtarët në aeroportin Prishtinës janë pritur nga kryeministri, Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.

Ata gjithashtu u nderuan me medalje nga FSK-ja për punën e guximshme që kanë bërë në zonat e prekura nga tërmeti.

Kurti shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për të gjithë pjesëtarët që ishin pjesë e operacione të kërkimit urban, mjekët dhe ata që u kujdesen për të plagosurit.

Këtë e ka bërë të ditur edhe ministri Meha, i cili tha se me Kryeministrin Kurti, Gjenerallejtënant Jasharin dhe Ambasadorin e Republikës së Turqisë, Tunç Angili, “pritëm 39 pjesëtarë të kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga 42 në total, të cilët për disa ditë me rradhë shërbyen në operacionin e kërkim-shpëtim në Turqi”.

Mehaj theksoi se rastet e tilla të fatkeqësive janë momente që përcaktojnë miqtë dhe karakterin e vërtetë të secilit.

“Rastet e tilla të fatkeqësive janë momentet të cilat përcaktojnë miqtë dhe karakterin e vërtetë të secilit, dhe në këtë rast, gatishmëria e menjëhershme e pjesëtarëve të FSK-së për të ofruar ndihmën tuaj në operacionin e kërkim-shpëtimit miqve tanë turq, tregon për një fisnikëri e ndjenjë mirësie që tejkalon njerëzoren. Këta janë krenaria jonë, heronjtë tanë që përveçse shpëtuan jetë njerëzore treguan edhe nivel të lartë profesionalizmi”, ak shkruar Mehaj në Facebook.

Mehaj ka falënderuar të gjihtë pjesëtarët që ishin pjesë e operacioneve të kërkim-shëptimit në zonat e tërmetit.

“Çfarëdo fjale miradie nuk shpreh mjaftueshëm mirënjohjen ndaj ushtarëve tanë, megjithatë i falënderoj edhe një herë. Puna e tyre flet shumë më shumë për ta se secili prej nesh. Ndërsa ky rast tregon se dallimi ndërmjet kombeve është i papërfillshëm kur bëhet fjalë për jetët njerëzore, këtu lidhja mes shteteve bëhet më e fortë e shumë reale.”

“Këtë ndjenjë mirënjohje e pamë edhe sonte kur në mesin e familjarëve kishte edhe shumë qytetarë të komunitetit turk, të cilët nuk kishin familjar në mesin e ushtarëve tanë, por që shpirtërisht me këtë akt humaniteti të treguar nga ana e FSK-së, i ndjenin të afërt, e po i prisnin ashtu si nëna pret djalin, apo motra, vëllaun. Ju jeni 42 heronjtë tanë, dhe krenaria jonë më e madhe”, ka përfunduar Mehaj.