Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar me sukses trajnimin “Zhytje Rifreskuese”, të realizuar në Qendrën Kombëtare të Polumbarëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në Pashaliman, Vlorë.
Trajnimi është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit bilateral ndërmjet FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, me qëllim avancimin e aftësive profesionale në fushën e zhytjes dhe operacioneve nënujore.
Gjatë trajnimit, pjesëtarët e FSK-së kanë përfituar njohuri dhe aftësi në teknikat moderne të zhytjes, sigurinë nënujore, planifikimin dhe realizimin e operacioneve të zhytjes, kontrollin e lundrueshmërisë dhe sistemin e punës në çift “buddy system”.
Sipas FSK-së, ky program ka ndihmuar në forcimin e kapaciteteve për realizimin e misioneve të kërkim-shpëtimit dhe operacioneve të specializuara nënujore.