Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë një person të dyshuar për veprën penale “Vrasja në tentativë”, lidhur me rastin e të shtënave me armë zjarri që ndodhi mbrëmë në qytetin e Pejës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari me inicialet B.K. dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasja në tentativë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë personi i dyshuar me inicialet B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘Vrasja në tentativë’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.
Rasti ka ndodhur mbrëmë në Pejë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri një person ka mbetur i plagosur.
“Menjëherë pas pranimit të informatës për rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë Prokurori i Shtetit, njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe ekipet e forenzikës, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale”, thuhet në njoftim.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, sipas Prokurorisë, janë grumbulluar prova materiale që do të shërbejnë në zhvillimin e mëtejshëm të procedurës penale.
Prokurori i Shtetit pritet që brenda afatit ligjor të parashtrojë në Gjykatën kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
“Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti dhe sigurimit të provave për zhvillimin e mëtejshëm të procedurës penale”, thuhet në njoftim.