Një person është plagosur me armë zjarri mbrëmjen e së martës në fshatin Miradi e Epërme, në Fushë Kosovë.
Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se rreth orës 21:00 Policia ka pranuar informatën për një rast plagosjeje.
Sipas tij, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku nga informacionet e para është konstatuar se një person ka mbetur i lënduar dhe dyshohet se është plagosur me armë zjarri.
“Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që njësitet policore janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit”, deklaroi Pllana.
Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.