Një person ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit, ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda trupore pas një përleshjeje me mjete të forta në Prishtinë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Lidhja e Pejës” rreth orës 01:20 të mëngjesit të sotëm.

Sipas njoftimit, policia ka reaguar menjëherë pas marrjes së informatës për të shtëna me armë dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

Policia ka identifikuar dhe arrestuar 13 persona të përfshirë në këtë rast, i cili është klasifikuar si “vrasje në tentativë”. Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje dhe hetimet për incidentin janë në vazhdim.

“Sot rreth orës 01:20, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Lidhja e Pejës” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

Bazuar në informacionet e deritanishme raportohet për katër persona të lënduar, njëri prej të cilëve  dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime gjatë përleshjes ku dyshohet të jenë përdorë mjete të forta.

Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin  veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit. Deri tani nga ana e policisë  janë identifikuar, arrestuar dhe dërguar në mbajtje 13 persona të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në këtë rast që është cilësuar si vrasje në tentativë”, ka njoftuar Policia.