Serbia po vazhdon përpjekjet për të tensionuar situatën në veri të Kosovës përmes një fushate të re propagandistike që përfshin shpifje dhe dezinformata të orkestruara nga mekanizmat e saj të luftës hibride, siç janë Lista Serbe dhe portali “Kosovo Online”.

Sipas një reagimi nga drejtori i Institutit Octapus, Arben Fetoshi, këto veprime kanë për qëllim të krijojnë një klimë destabilizimi, veçanërisht në prag të festës serbe të Vidovdanit, që tradicionalisht është shfrytëzuar nga Beogradi për provokime politike dhe etnike.

Fetoshi nënvizon se propaganda e fundit përfshin pretendime të pavërteta si:

  • Ndërrimi i emrave të rrugëve në komunat me shumicë serbe;
  • Akuzat se institucionet kosovare kanë detyruar fëmijët serbë të mbajnë flamurin e Kosovës;
  • Supozime për shkatërrim të pronave të qytetarëve serbë.

Sipas Fetoshit, kjo fushatë ka një qëllim të dyfishtë:

  1. Demonizimin e institucioneve të Kosovës, duke e paraqitur shtetin si një entitet diskriminues ndaj serbëve;
  2. Mbajtjen nën presion të komunitetit serb lokal, me qëllim të nxitjes së reagimeve dhe konfrontimeve ndaj institucioneve të Kosovës.

“Veprimet dhe propaganda agresive nuk janë të rastësishme. Ato vijnë nga qarqe të lidhura me Beogradin zyrtar, që synojnë rritjen e tensioneve në një periudhë simbolike për nacionalizmin serb siç është Vidovdani”, ka shkruar Fetoshi.

Fetoshi apelon për vigjilencë institucionale dhe refuzim të manipulimeve që synojnë cenimin e paqes dhe rendit kushtetues në Kosovë.