Për manastirin e Deçanit tashmë ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që ia njeh atij pronësinë për 24 hektarë tokë, që ishin në një kontest gjyqësor me komunën e Deçanit.

Mirëpo, me planin evropian, për të cilin tashmë ka një dakordim nga Kosova dhe Serbia, ky nuk do të jetë privilegji i vetëm që do ta ketë manastiri, bashkë me objektet tjera fetare serbe në Kosovë.

Në nenin 7 theksohet se palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do  të ofrojnë një nivel të lartë të tashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.

Kjo pikë e marrëveshjes, profesori Milzim Krasniqi, thotë se është në pajtim të plotë me kapitullin për trashëgiminë fetare dhe kulturore të Planit të Ahtisarit, ku sipas tij kishës ortodokse i jepet një gamë e gjerë kompetencash.

“Për fat të keq, Kisha Ortodokse Serbe ka një rol subverziv në Kosovë, përndryshe po të ishte vetëm bashkësi mirëfilli fetare nuk do të paraqiste asnjë problem, por miti serb për Kosovën bazohet në Shën Savizmin, bazohet në idenë e Kishës Ortodokse që Kosova është Jerusalem serb, është tokë e shenjtë serbe”, ka deklaruar profesori universitar, Milazim Krasniqi.

Mirëpo më optimist se profesori Krasniqi për këtë pikë të planit evropian, është ish-avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i cili tregon se në Kosovë të drejtat e bashkësive fetare, janë në përputhje të plotë me Konventën Evropiane.

“Nëse shkelen këto parime themelore të këtyre standardeve ndërkombëtare, përfshirë konventën evropiane, që siç thashë është jashtëzakonisht strikte në këto qëndrime, e dyta opinionet edhe udhëzuesit të publikuar prej mekanizmave kryesor këshilldhënës si komisioni i Venedikut, nëse sepse në Kushtetutën tonë kemi thënë që Konventa Evropiane ka përparësi zbatimi ndaj çdo ligji tonë vendor, edhe nëse ka kundërshtime mes tyre, vlen standardi ndërkombëtar, që në këtë rast është konventa evropiane, unë nuk besoj se nuk  ka një mekanizëm juridik që do t’i anashkalonte këto mekanizma juridik deri tash, përndryshe do të duhej ta ndërrojmë kushtetutën e Kosovës për të bërë të mundur diçka të tillë, sepse këto mekanizma që janë të themeluara mirë në sistemin tonë juridik, nuk lejojnë përjashtime të tilla”, ka deklaruar Jashari.

Jashari thekson se megjithatë, edhe Konventa Evropiane ua njeh bashkësive fetare disa privilegje, mirëpo të cilat nuk rrezikojnë funksionimin e shtetit.

“Sa i përket privilegjeve, lejohet një diskrecion i shtetit për të garantuar ose për të siguruar disa privilegje t’i quajmë kushtimisht, mirëpo ato kryesisht kanë të bëjnë për avancimin e një bashkësie fetare, që tradicionalisht ka pasur rrënjë në një sistem të caktuar shtetëror atje dhe që mund të përfshijnë edhe benificione ekonomike”, ka shtuar ai.

Në nenin 7 të planit evropian, theksohet se mbrojtja e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, do të bëhet në linjë me modelet ekzistuese evropiane, pa u saktësuar se për cilat modele bëhet fjalë.