Autoritetet tajvaneze po vëzhgojnë me kujdes nëse Kina mund të përpiqet të përfshijë ishujt Kinmen, që ndodhen pranë bregdetit kinez, në planin e saj të ri pesëvjeçar të zhvillimit ekonomik, duke rritur shqetësimet për ndikimin e mundshëm ekonomik dhe politik të Pekinit mbi këtë rajon të ndjeshëm.

Sipas zyrtarëve tajvanezë të cituar nga Reuters, Pekini po zhvillon këtë javë një plenum me dyer të mbyllura të Partisë Komuniste, ku pritet të diskutohet plani i 15-të pesëvjeçar që do të nisë zyrtarisht vitin e ardhshëm dhe do të publikohet në detaje në mars.

Dy burime të informuara për çështjen thanë se Taipei po i kushton vëmendje të veçantë nëse plani do të përmendë ndonjë formë “thellimi të integrimit ekonomik” me Kinmen, që ndodhet vetëm pak kilometra larg qytetit kinez Xiamen.

Kina prej kohësh ndjek një strategji të “karrotës dhe shkopit” ndaj Kinmenit – duke ofruar furnizim me energji, gaz e ujë, por edhe duke e kërcënuar me patrullime të shpeshta të rojes bregdetare në ujërat përreth.

Zyrtarët tajvanezë paralajmërojnë se përfshirja e Kinmenit në planin ekonomik të Kinës mund të shihet si përpjekje për të fituar juridiksion “de facto” mbi ishujt, duke e shndërruar çështjen nga një debat sovraniteti në një garë për kontroll administrativ.

“Marrëdhëniet ndër-ngushticë mund të kalojnë nga mosmarrëveshjet për sovranitetin në një garë për juridiksionin,” tha një zyrtar i lartë tajvanez për Reuters, në kushte anonimiteti.

Një tjetër burim tha se Pekini mund të përpiqet të “ushtrojë pushtet administrativ de facto mbi Kinmen” përmes një programi zhvillimi, në përputhje me axhendën e bashkimit kombëtar të Kinës.

Këshilli i Çështjeve Kontinentale të Tajvanit refuzoi të komentojë derisa të publikohen detajet zyrtare të pleniumit, ndërsa Zyra e Çështjeve të Tajvanit e Kinës nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Nga ana tjetër, deputetja tajvaneze Jessica Chen nga partia opozitare Kuomintang, që përfaqëson Kinmenin, tha se integrimi ekonomik mund të jetë i mirëpritur, por sovraniteti i ishullit nuk është i negociueshëm.

“Kinmen është territor i Republikës së Kinës dhe juridiksioni i tij i përket Republikës së Kinës – kjo është e padiskutueshme,” tha ajo.

Planet pesëvjeçare të Kinës më parë kanë përmendur Tajvanin në mënyrë të paqartë, përfshirë edhe idenë për ndërtimin e një tuneli apo linje hekurudhore drejt ishullit – propozime që Taipei i ka refuzuar kategorikisht.

Ndërkohë, ura që lidh Kinën me Kinmenin, ende në ndërtim, dhe aeroporti i ri i Xiamenit, që ndodhet vetëm 3 kilometra larg Kinmenit, janë konsideruar si kërcënime të reja për sigurinë kombëtare të Tajvanit, sipas zyrtarëve të vendit.