Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se qasja e tij nuk po sjell zhvillim për vendin, pavarësisht mbështetjes që mund të marrë.
Haradinaj deklaroi se edhe nëse Kurti do të merrte mbështetje maksimale nga qytetarët, situata nuk do të ndryshonte.
“Po e bëjmë mbret, po e bëjmë diktator, po e bëjmë çka të duash, kjo qasje nuk të ecë përpara e as kah zhvillimi i proceseve”, deklaroi Haradinaj në KlanKosova.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos vazhdojnë t’i japin mbështetje të njëjtë kryeministrit.
“Nuk ja kanë më borxh. Ja kanë dhënë disa herë shumicën këtij njeriu, nuk po na çon përpara”, shtoi ai në Klan Kosova.
Duke folur për çështjen e presidentit, ai tha se nuk pret ndonjë zhvillim të rëndësishëm deri në skadimin e afatit kushtetues.
Sipas tij, procesi mund të zgjasë deri në fund të afatit kushtetues pa ndonjë lëvizje konkrete nga ana e Kurtit.
“Ky është afati kushtetues dhe me siguri që do të pritet deri në afat kushtetues të plotë, por nuk pres asnjë zhvillim, asnjë ndryshim. Mund ta ndodh që Kurti do t’ia kërkojë Albulenës, si presidente në detyrë, t’i ftojë partitë, qoftë para skadimit të afatit, qoftë më vonë. Mirëpo, nuk shoh nga Kurti më fare ndonjë përpjekje të re”.
Haradinaj përmendi edhe mundësinë që ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, të ftojë partitë politike për konsultime, por theksoi se nuk sheh vullnet real për zgjidhje.
“Do ta bëjnë një përpjekje me mbulu këto shtatë ditë, me një lojë, me aq sa kanë mundësi, sa u ka mbetur terren të bëjnë lojë, por qëllimi i tyre është vetëm t’i harxhojnë këto ditë, të na çojnë në zgjedhje”, tha ai.