Janë pamje të furnizimit të fundit të materialit të hemodializës e që është në përfundim, në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.
Për pacientët që iu ishte përgjysmuar shërbimi dy ditë më parë në dy orë, sot ka pasur mjaftueshëm material sa për ta marrë të plotë trajtimin.
Por, furnizimi vazhdon të jetë i pasigurt për ditët në vazhdim.
“Situata katastrofë, material s’ka. Sot s’pritem. E morëm me kohë. Para dy dite e kena marrë dy orë, se s’ka pas material. Gjysën e kantës këtij shokut gjysmën mu. Nesër janë rajoni i Vushtrrisë dhe Skenderaji. Për nesër nuk ka veç nëse binë. Para 5 vite më thonin, kërkoj të drejtat e tua se je i mbrojtun prej shteti, na spo dimë a jemi apo jo. Po luajnë me jetë të njerëzve. Ky pardje ka ardh i ajt”, ka thënë Bashkim Haxha, pacient i hemodializës.
I zhgënjyer nga neglizhenca e institucioneve, Haxha ka një mesazh për krerët e vendit.
“Kërkesa ime është që mos të na lënë pa këtë ujin, ç’ka është ky ujë i destilun a ç’ka nuk e di. Me kanë për veti, sot i kisha marrë senet e kisha dalë jashtë, a i ka fajet MSH a qeveria nuk e di. Albinit i qoj selam, thuji le t’bon diçka se populli maroj. Mas shumti po hekum na. Me shku në depo thatë është”, ka shtuar Haxha.
Se spitalet rajonale po furnizohen në baza ditore, e ka konfirmuar edhe Spitali Rajonal i Pejës për Dukagjinin.
“Në kohën e fundit po furnizohemi për afate më të shkurta për dy ose tri ditë. Aktualisht kemi material për kryerjen e dializës për sot dhe nesër dhe presim furnizim gjatë ditës sot apo nesër. Jemi në koordinim të vazhdueshëm me SHSKUK-në për plotësim të nevojave me material”, ka thënë nga spitali.
Në një përgjigje të ditës së kaluar, SHSKUK deklaroi për Dukagjinin se në proces mbetet hapja e një tenderi tjetër emergjent.
Por, për njohësit e prokurimit, nuk ka një periudhë të caktuar se sa mund të marrë kohë kjo.
“Në situata emergjente, dinamika e prokurimit nuk përcaktohet nga afatet e zakonshme procedurale, por nga shkalla e urgjencës për sigurimin e materialeve,në këtë rast për hemodializë, në mënyrë që situata të menaxhohet në mënyrë sa më efikase. Në rastin konkret kemi një dështim të dyfishtë: (1) procedura e ankimuar nuk është trajtuar me urgjencën që kërkon interesi i përgjithshëm dhe (2) lidhja e kontratës urgjente nuk është paraprirë nga një analizë, negociim dhe koordinim i mirëfilltë, për të mundësuar një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme. Ligji parashikon afate të përshpejtuara, por kjo nuk arsyeton neglizhencën institucionale për të mos i procesuar me kohë procedurat e prokurimit. Çdo kontratë ka një datë fillimi dhe një datë përfundimi; duke e ditur këtë, SHSKUK është dashur t’i nisë shumë më herët procedurat, në mënyrë që, me përfundimin e kontratës ekzistuese, të ishte në fuqi një kontratë e re që garanton vazhdimësinë e shërbimit dhe mbulimin e nevojave të qytetarëve”, ka thënë Diana Metushi nga KDI.
Televizioni ka provuar të marrë një përgjigje nga Qeveria në detyrë por zyrtarë për media thanë se për rastin përgjigje jep Ministria e Shëndetësisë.
Kjo e fundit, deklaroi një ditë më parë për Dukagjinin se përgjegjësia i takon SHSKUK-së duke theksuar se e njëjta, funksionon si organizatë e pavarur buxhetore.
