Katër persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se kishin planifikuar vrasjen e një personi.

Sipas hetimeve të Policisë, të dyshuarit, të gjithë meshkuj kosovarë, u kapën në flagrancë duke pranuar armë që do të përdornin për realizimin e veprës penale.

Operacioni policor u realizua në katër lokacione të ndryshme, në Pejë dhe Prishtinë,  ku gjatë kontrolleve janë sekuestruar dy armë, municion të kalibrave të ndryshëm dhe disa dëshmi të tjera të rëndësishme për hetimin.

Pas intervistimit, prokurori ka vendosur që tre nga të dyshuarit të mbahen në arrest, ndërsa njëri prej tyre është liruar në procedurë të rregullt.

“Pejë, Prishtinë 2024/2025 , NN. Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj  kosovarë, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë planifikuar përgatitjen e vrasjes së viktimës. Të dyshuari janë zënë në flagrancë duke pranuar armët për kryerjen e veprës. Gjatë operacionit policor janë kontrolluar vendbanimet e të dyshuarave në katër lokacione të ndryshme ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy armë, municion të kalibrave të ndryshme si dhe disa dëshmi tjera të rëndësishme. Me vendim të prokurorit pas intervistimit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij rasti.