Podujeva shpall gjendje emergjente për shkak të mbeturinave, paralajmërohet rrezik për shëndetin publik

Komuna e Podujevës ka shpallur gjendje emergjente për shkak të grumbullimit të mbeturinave në territorin e saj, pasi situata është vlerësuar si alarmante dhe me rrezik për qytetarët.

Drejtori për Shërbime Publike në Podujevë, Bahri Selimi, ka thënë se komuna është përballur me probleme të vazhdueshme në menaxhimin e mbeturinave që nga fillimi i këtij viti, përfshirë edhe mungesën e pajisjeve teknike nga kompania përgjegjëse për pastrimin.

“Pasi tek ne u krijua një gjendje e jashtëzakonshme, shumë alarmante dhe në fakt gjendje emergjente, u desh të merrej ky vendim sot. Me problemin e mbeturinave jemi duke u marrë nga janari i këtij viti dhe në vazhdimësi kemi pasur probleme me menaxhimin e tyre, si dhe mungesë të pajisjeve teknike”, ka deklaruar Selimi.

Ai tha se komuna ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar situatën, por sipas tij, gjendja ka arritur në një pikë kritike pas ankesave të shumta nga qytetarët.

“Në pamundësi për ta rregulluar gjendjen, kam kërkuar nga Sektori i Emergjencave në Drejtorinë e Shërbimeve Publike që të përgatisë një raport për gjendjen aktuale në territorin e Komunës së Podujevës. Ky raport e ka vlerësuar situatën si alarmante dhe të jashtëzakonshme, duke paraqitur rrezik për qytetarët”, tha ai.

Sipas Selimit, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka dhënë rekomandim se gjendja me mbeturinat mund të çojë edhe në përhapje të ndonjë epidemie.

Pas shpalljes së gjendjes emergjente, komuna ka nisur ndërhyrjet për pastrimin e territorit.

“Kemi rrugët e hapura që në mënyrë emergjente të pastrojmë territorin e Podujevës. Sot kemi filluar dhe shumë shpejt do t’i largojmë mbeturinat, duke parandaluar përhapjen e ndonjë epidemie”, ka përfunduar Selimi.

 

 

Të fundit nga rubrika