“Policët serbë ishin të dehur, na maltretuan” – Rrëfimi i nënës që humbi dy djemtë dhe burrin në luftë

Luljeta Sharani, nga komuna e Gjakovës, gjatë luftës në Kosovë ka humbur burrin e saj dhe dy djemtë. Ajo ka rrëfyer mbi tragjedinë e saj dhe maltretimin fizik dhe psikik që iu bën nga ushtarët serbë në ditën kur iu hyrën në oborrin e familjes Sharani

Luljeta Sharani, nga komuna e Gjakovës

Luljeta Sharani, nga komuna e Gjakovës, i ka humbur gjashtë anëtarë të familjes së saj, më 10 maj të vitit 1999.

Në mesin e tyre, ajo ka humbur burrin e saj dhe dy djemtë. Ajo e kujton si sot, maltretimi që u është bërë asaj dhe familjes. Gjithcka kishte filluar më 9 maj të vitit 1999, një ditë para zhdukjes së familjarëve të saj, për të mos i parë më kurrë të gjallë.

Në këtë datë, ushtria serbe i kishte hyrë familjes Sharani në oborr, duke i maltretuar fizikisht e psiqikisht.

“Më 9 maj filloji tragjedia në familjen Sharani, kur hyn në orën 17 ushtria, na maltretuan në forma të ndryshme. Na urdhënuan të dalim jashtë në rrugë, prej vjehrrës që ishte më e vjetra, deri te visari më i riu që ishte. Dy kunetët dhe dy fëmijët i ndalën te dera, neve na shtrin për toke dhe duart për mure, i kishin automatet te ngritura sikurse të gjironin filma”, tha ajo.

Ajo rrëfeu, se përpos dhunës e torturave, ushtarët serbë edhe i plaqkisnin shqiptarët. Për këta arsye, ajo ka treguar që burrat mbanin të holla në gjep, në mënyrë që nëse ndaleshin nga serbët, t’ua jepnin paratë e të liroheshin nga ta.

Sharani, tregoi se dy djemtë e saj ishin në gjendje të bashkoheshin me UÇK-në, por për shkak të mungesës së armëve, nuk shkuan të luftonin me ta.

“Bërtisnin, na plaçkitën. Burri dhe djemtë kishin të holla në gjepa, arsyeja pse i mbanin të hollat, sepse kishin dëgjuar se nëse i japin të holla, sepse ishin të etshëm për të hollat, me i depërtu apo me u largu. Djemtë kanë qenë kategorik të flaktë, të mos largohen, donin t’i bashkoheshin UCK-së, por armë nuk kish të mjaftueshme dhe mbetëm deri më 9 maj në shtëpi”, u shpreh Sharani.

Ajo e rrëfeu një moment, kur i kishte parë dy djemtë e saj të shtritë në tokë. Me t’i parë në atë gjendje, nëna e tyre ishte gjuajtur mbi ta.

“Kur na qitën në rrugë, kur i pashë valonin dhe visarin shtritë përtokë, u gjuajta në mes të tyre”, tha ajo me gjysmë zëri.

Sharani, tregoi edhe një moment delikat, ku djali i saj, Valoni, kishte refuzuar të fliste me ushtarët serbë, edhe pse ata ia thirrnin emrin.

“Valoni ka lind në Prizren, në atë vit ka pasur renovim spitali i Gjakovës, kemi shku në Prizren, në letërnjoftim, shkruajke në Prizren. Kur i morën ID-të, ushtria serbe, po shohin Prizren dhe po pyesin kush është prej Prizrenit. Prita që djali të lajmërohet, por nuk folke. Po i them Valon me ty e kanë, lajmrohu. Më tha, më lërë të qetë se unë nuk flas me ta. U detyrua unë, me thanë është djali im, ka lind në Prizren, por banon me ne në Gjakovë. Pastaj me toki-voki, u dëgjun duke thënë se jemi në familjen Sharani, çfarë të bëjmë me ta. E kuptum që ta thanë futni brenda”, rrëfeu Sharani.

“Kapelën e UÇK-së ia gjuajti për fytyre”, Sharani rrëfen se si serbët i mbyllën në bodrum

Sharani tregoi se si u kërcënuan nga serbët dhe kërkuan informacione për UÇK-në.

“Në bodrum na ngujun të gjithëve, gra e fëmijë. Na ishim në dysheme, ata në karrika e korridor me automata. Filluan nga Skiferi, burri, duke i thënë ti je intelektual? Ai tha jo njeri i thjeshtë. I thanë e dimë kush je. Ia dhanë ID-në, burri itha faleminderit, kurse serbët i thanë mbylle gojën se të vrasim.

“Më thanë cilët janë fëmijët e tu, i thash dy djemtë dhe vajza. Më tha a i don djemtë e tu, i thash si çdo nanë. Më tha ju lehtë e keni, jeni krejt këtu, ne që katër muaj si kemi parë familjarët. I thash dashtë Zoti të kryhet sa më shpejt kjo, dhe të ktheheni te familjarët dhe ne të vazhdojmë këtu.

“U kthyen nga kunati, e pyetën ku është UCK-ja, ai tha se nuk e di a ekziston UCK-ja? Prej gjepit të vet e nxerrri kapelën e UCK-së, dhe ia gjujti për fytyre.

Kërkuan kush është zot shtëpie, kunati u lajmërua, e morën me vete lart, kërkuan pije. Ata dehur ishin kur i pin ato u dehën edhe më shumë. Kur zbritën poshtë edhe më të dehur”, u shpreh Sharani.

10 maji dita e fundit kur i pa burrin dhe dy djemtë

Pas ushtrisë serbe, ditën e nesërme në oborrin e familjes Sharani zbarkuan policët serbë. Kjo ishte edhe dita e fundit, që Luljeta Sharani, i pa të gjallë burrin dhe dy djemtë e saj.

“Të nesërmen me 10 maj u thyen dyert, hynën brenda policia, me uniformë të kaltër. Numër i madh të armatosur, ne duarthatë, të mbështetur për muri. Sa mujtëm unë Skiferi, nuk kemi bë asgjë, ju lutem na lironi, nuk na dëgjonin.

“Na morën me shkelma e automatika gra e fëmijë na qitën jashtë. 11 meshkuj i ndalën, familjes Sharani 6, Saraqini 4 dhe një familjes Berisha. Kur dolëm në rrugë cka me pa policë, nja 200”, rrëfeu ajo.

Sharani, tregoi se si vajza e saj, e kishte bindur të mos kthehej në shtëpi, për të parë se a janë gjallë apo jo, burri dhe djemtë.

Duke iu dridhur zëri, ajo tregoi se vajza e saj, iu kishte përgjëruar që të mos e linte.

“Insistiova me u kthy në shtëpi, sepse rafallët u dëgjuan. Nuk i kanë ekzekutu aty, por me kriju panik ata gjuajshin. Ashtu e kemi kuptu, që pa i maltretu e dhunu nuk ia kanë marrë shpirtin.

“I thash vajzës që ku e ke gjyshe unë du mu kthy te babi e djemtë sepse smundem të jetoj pa ta. Aq shumë mu lut, “mam të lutem mos më lërë vetëm” Unë i humba ndjenjat, nuk dita cka u bë me mu. Kunata arriti me u kthy në shtëpi, prej 11 burrave të rreshtum vetëm burrin nuk e ka pasur. Kur e kanë fut në bodrum, i kanë thënë pare na jep nëse do të shpëtojmë burrin”, tha ajo.

Për vdekjen e tyre, Sharani kishte kuptuar pas 8 viteve kërkim. Pas 8 viteve ishin kthyer eshtrat e familjarëve, për ta zbutur dhimbjen sadopak.

“E kuptuam që nuk janë më, pas lloj-lloj protestash që i kërkum, falë zërit të nënave, që ngritëm zërin, tërë kohën të gjitha rrugët i kemi la me lot, kemi trokitë në çdo derë, nuk kemi gjetë ndihmë. Për 4 vjet e shtatë muaj, në grupin e parë kur ka fillu me i kthy, në grupin e parë ka qenë kunati, më 2003. Mas 4 muaje, me 18 prill 2004, e kthyen burrin, dhe dy kunetët. Pas tre vjetësh, më 2007 e kthyen Valonin edhe Visarin, pas 8 viteve u kthyen”, tha ajo.

Dhimbja sipas saj është pak më e vogël pasi janë kthyer eshtrat, por Sharani rrëfen se ajo nuk zhduket asnjëherë, dhe se kujtimi për më të dashurit e saj, nuk do të shterohet asnjëherë.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika