Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon seanca gjyqësore në rastin “Banjska”, ku sot është duke u dëgjuar dëshmia e zyrtarit policor të Kosovës, Elez Peci.

Peci ka përshkruar momentet e para të shpërthimit në fshatin Banjskë, duke thënë se gjithçka ndodhi pak minuta pasi kishin arritur në vendngjarje me ekipin e udhëhequr nga rreshteri Afrim Bunjaku.

“Më 23 shtator plani operativ ka qenë 12 orësh për shkak të situatës. Si çdo herë rreshteri Afrim Bunjaku e ka bo orarin se kush ku punon. Si zakonisht kemi filluar me patrulla. Deri në orën 2 kemi qenë nëpër terren së bashku me Fahri Shalën. Diku rreth orës 2 jemi kthye në stacion. Nëpërmjet radiolidhjes është njoftua dhoma komanduese nga njësia NJNSH se në fshatin Banjskë mbi urë janë vendosur dy kamionë, u blloku rruga. Rreshteri i ndjere Afrim Bunjaku na ka ftua mua, Fahri Shalën dhe Sadat Dushin na ka dhënë detyrat dhe jemi pajisur. Unë kam qenë në automjet me rreshterin Afrim Bunjaku. Duke shkuar në fshatin Joshevik komuna e Zveçanit, 1 km pa ju afru Banjskës, e kemi pa një automjet. E kemi ndalë automjetin, kemi kërkua dokumentacionin e tij, automjetin, në karrige të pasagjerit e kemi gjet një antenë e radiolidhjeve të Policisë, por pasi që personi nuk ishte i kërkuam, ia kemi marrë të dhënat dhe kemi vazhdua në drejtim të Banjskës”, ka thënë Peci, para trupit gjykues.

“E kam vërejtur se fshati është shumë terr, ndërsa rruga që përshkonim ne shumë ndriçim i fortë. Kur jemi afru te kolegët tanë, unë kam dyshua dhe kam thënë koleg po shpërndahemi se mundet me qenë kurth. Prapa meje ka ardh Sadati. Një kamion i gjelbër ka qenë buzë lumit Banjska. Në atë moment ka ndodhë një detonim shumë i fortë, aq i fortë sa ma ka humbur edhe bilancin. E kam marrë vetën por kanë pasuar te shtëna armësh, të kalibrave të ndryshëm. Kur e them këtë, unë e kam të kryer shërbimin ushtarak, i njoh kalibrat…Ka pasur të shtëna armësh në formë të hënës nga shkolla në anë të majtë deri të hoteli tash ku është Posta e Kosovës. Ka pasur sulmues shumë afër 10-15 metra”, ka deklaruar tutje Peci.

Ai ka theksuar se sulmuesit ishin të vendosur në formë të gjysmërrethit – “si hëna”, dhe kishin organizuar gjithçka me përpikëri ushtarake.

“Unë i përkas gjeneratës së mesme, e kam kryer shërbimin ushtarak në Jugosllavi dhe i njoh kalibrat. Të shtënat vinin në drejtimin tonë, nga shkolla, ana e djathtë, deri te hoteli ku sot është posta e Kosovës,” ka shtuar ai.

Peci ka deklaruar se gjithçka që ka parë i ngjante një sulmi të mirëorganizuar ushtarak dhe sipas tij, ky sulm është financuar nga Serbia.

Ndërkohë, gjatë dëshmisë së tij, foli edhe për personat si Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, duke i përshkruar si figura të fuqishme në strukturat paralele në veri të Kosovës.

“Unë punoj në Zveçan që nga viti 2011. Persona si Radoiçiq dhe Veselinoviq kanë qenë gjithçka në pjesën veriore. Ata kanë pasur aq strukture te organizuar si çdo herë kanë qarkulluar me përcjellje të vet”, ka deklaruar tutje ai.