Polici i Kosovës, i cili ka mbetur i plagosur mbrëmë, në komunën e Zveçanit, është jashtë rrezikut për jetë.

Kështu ka bërë të ditur, drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Luljeta Zhubi, për Portalin Dukagjini, teksa ka shtuar se ai është transferuar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm.

Ajo bëri të ditur se ai është plagosur në pjesën e shpatullës dhe se ende nuk ia kanë nxjerrë plumbin nga aty, kjo është arsyeja se pse ai, sipas saj, është dërguar në QKUK.

“E ka një plumb në shpatull, gjendja e tij është stabile, jashtë rrezikut për jetë, sot dërgohet në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm. Po, është një pozitë që shkon më tutje për trajtim në QKUK, gjendja e tij është mirë”, ka thënë ajo.

Policia e Kosovës, mbrëmë në veri, është sulmuar nga një grup kriminal i armatosur me armë të gjata, me ç’rast një polic ka mbetur i plagosur.