Policia e Kosovës ka ndihmuar zyrtarët e Ibër-Lepencit në veri të vendit për të hyrë në një objekt pranë liqenit të Ujmanit, i cili dyshohet se përdorej si institucion paralel i Serbisë.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë për Dukagjinin se operacioni i zhvilluar të martën ka kaluar pa ndonjë incident.

“Po, i kemi asistuar zyrtarët e Ibër-Lepencit për të hyrë në këtë objekt pranë liqenit të Ujmanit”, ka theksuar ai.

Në ditët e fundit, autoritetet e Kosovës kanë marrë nën kontroll disa objekte që më parë shfrytëzoheshin nga institucionet paralele të Serbisë.

Mes tyre janë ndërtesa të Shërbimit Nacional për Punësim, Ndërmarrjes Publike Komunale “Ujësjellësi Ibër”, palestra sportive, muzeu i qytetit dhe disa institucione të tjera.