Me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe mbarëvajtjes së protestës së lajmëruar të 16 qershorit, sipas ligjit mbi tubimet publike nga Veteranët e UÇK-së, Policia e Kosovës ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore.

Në njoftimin e Policisë në Facebook, thuhet se “sot, më 15.06.2022, zyrtarë nga Policia e Kosovës (PK) kanë zhvilluar një takim njoftues me përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së me qëllim të njoftimit rreth organizimit të protestës, vendit dhe kohës së mbajtjes së saj dhe masave tjera që lidhen me zhvillimin e protestës”.

Sipas njoftimit, Policia e Kosovës e njeh të drejtën e shprehjes së lirë, pakënaqësive (protestës) si e drejtë ligjore.

Lidhur me këtë lajmërim PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët, mbrojtjen e pronës dhe ofrimin e sigurisë në trafik.

Më tutje thuhet se Policia do të ndërmarrë masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja protestës të kalojë pa ndonjë incident.

“Po ashtu që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, bëhet e ditur se sipas procedurave të parapara Policia do të marrë masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës.

“Me këtë rast, Policia fton të gjithë qytetarët, përfshirë pjesëmarrësit në protestë që protesta të zhvillohet e qetë duke respektuar ligjet e vendit dhe që kërkesat e tyre t’i shpalosin në mënyrë demokratike e ligjore”, thuhet në njoftim.