Policia demanton pretendimet për dhunë ndaj maturantit në veri, Hoxha: Po bëhet luftë hibride
Policia demanton pretendimet për dhunë ndaj maturantit në veri, Hoxha: po bëhet luftë hibride Deklarime e supozime pati nga gjithkush, por versionin e fundit e dha vetë drejtori i Policisë së Kosovës. Maturanti ndaj të cilit reagoi Policia e Kosovës në veri të vendit, derisa po defilonin si maturantë dhe po bënin thirrje nacionaliste, nuk […]
Policia demanton pretendimet për dhunë ndaj maturantit në veri, Hoxha: po bëhet luftë hibride
Deklarime e supozime pati nga gjithkush, por versionin e fundit e dha vetë drejtori i Policisë së Kosovës.
Maturanti ndaj të cilit reagoi Policia e Kosovës në veri të vendit, derisa po defilonin si maturantë dhe po bënin thirrje nacionaliste, nuk doli ashtu siç raportuan mediat serbe e madje edhe politikanë serbë.
“Gjatë defilimit, më saktësisht tek pjesa e kafiterive, disa pjesëmarrës kanë filluar të provokojnë qytetarët që kanë qenë ulur në kafiteri me thirrjet ‘Kosova është zemra e Serbisë’ dhe duke bërë simbolin me tre gishtërinj”, ka deklaruar Gazmend Hoxha, Drejtor i Policisë së Kosovës.
Për të parandaluar një konflikt aty, reagoi edhe Policia e Kosovës.
E lidhur me mënyrën e veprimit të policit të Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës është ai që do të vlerësojë nëse është vepruar brenda kompetencave.
Por, Inspektorati do e ketë të lehtë të vërtetojë pretendimet se rreth qafës së tij kishte gjak, pasi edhe vetë maturanti e pranoi në polici, në prezencë të prindit të tij, se ishte ngjyrë e kuqe.
“Ka rezultuar të ishte ngjyrë e vendosur nga shokët e tij të klasës. Në këto imazhe është vërtetuar se shenjat me ngjyrë në qafë i njëjti i kishte pasur edhe para veprimit apo intervenimit të zyrtarëve policorë”, ka deklaruar Hoxha.
Këto deklarime të të parit të Policisë së Kosovës vërtetohen edhe me fotografi që ishin bërë nga hetuesit pas marrjes në pyetje.
Hoxha shtoi se në veri po bëhet luftë hibride ndaj Policisë, andaj edhe duhet pasur shumë kujdes.
“Mirëpo pse, Kosova dhe Polica e Kosvoës jemi pjesë e fushatës dhe luftës hibride, kundër prezencës tonë atje ajo është mëse e qartë, andaj ne po punojmë që me punë dhe profesionalizëm me dinjitet të ruajmë punën tonë, imazhin e policisë dhe shtetit tonë”, ka theksuar ai.
Thirrjet nacionaliste të maturantëve tha se mbetet të verifikohet nëse janë të shtyra nga dikush, por që në këtë fazë janë veç spekulime.
Ndërkaq, edhe kërcënime tha se janë duke u hetuar dhe janë bërë në grupe të rrjeteve sociale, dhe mbetet të verifikohet nëse janë bërë brenda ose jashtë territorit të Kosovës.















