Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur se ekzistojnë shenja që zjarri në një shtëpi në Zveçan mund të jetë shkaktuar qëllimisht, ndërsa rasti është duke u hetuar nga Policia.
Elshani tha se Policia ka pranuar informacionin për zjarrin pas mesnatës dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Pas mesnate kemi pranuar një informacion që një shtëpi në Zveçan është duke u djegur. Kemi shkuar në vendin e ngjarjes dhe kemi parë që kulmi ishte dëmtuar dhe një dhome i ishte vënë zjarri. Shenja të zjarrvënies kemi parë. Dëmet nuk mund të jenë shumë të mëdha, për arsye se shtëpia ka qenë e pabanuar. Sidoqoftë, Policia është duke u marrë me këtë rast”, deklaroi Elshani.
Ai shtoi se deri më tani nuk ka persona të dyshuar lidhur me rastin.
“Jo, nuk kemi ende persona të dyshuar”, tha Elshani.
Rasti u bë publik nga familja Berisha, pronare e shtëpisë së përfshirë nga zjarri. Përmes një postimi në TikTok, Zana Berisha tha se familja dyshon se bëhet fjalë për një tentim të qëllimshëm për t’ua djegur shtëpinë.
Shtëpia, në pronësi të familjes Berisha, ishte rikthyer në vëmendje në qershor të këtij viti, kur familja u kthye në të pas 28 vitesh largimi të detyruar gjatë luftës në Kosovë. Pas kthimit, ata kishin nisur restaurimin e objektit me synimin që ta bënin sërish të banueshëm.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit dhe për të identifikuar autorët e mundshëm.
@zana.b.k Tentuan të na frikësojnë duke tentuar t’ia vënë flakën shtëpisë. Por gabuan. Çdo sulm vetëm sa na bën më të vendosur. Ne do të vazhdojmë edhe më fuqishëm, deri sa ta arrijmë qëllimin tonë. #VeriuIKosoves #kosova🇽🇰 #foryou #fyp #mitrovica ♬ original sound – Zana e Zveçanit ⛰️