Policia e Kosovës ka apeluar për vigjilencë të shtuar gjatë qarkullimit në rrugë, për shkak të mjegullës së pranishme në disa zona të vendit.

Në njoftimin zyrtar thuhet se mjegulla po ndikon në uljen e dukshmërisë, duke rritur rrezikun për ndodhjen e aksidenteve në trafik. Për këtë arsye, policia u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që të përshtatin shpejtësinë me kushtet aktuale të rrugës, të mbajnë distancë të sigurt nga automjetet e tjera dhe të përdorin ndriçimin përkatës gjatë vozitjes.

Gjithashtu, qytetarëve u kërkohet të respektojnë shenjat e komunikacionit dhe rregullat e trafikut, si dhe të shmangin manovrat e rrezikshme që mund të rrezikojnë sigurinë e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.