Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka pritur në takim përfaqësues të Administratës Kundër Drogave të SHBA-së (DEA), përfshirë Atasheun e Vendit me seli në Sofje, Scott M. Caporossi, Analisten e Inteligjencës Kathleen (Kacey) Garrett, si dhe Znj. Kimberly Riffe, Atashe e DOJ/ICITAP në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
Takimi sipas njoftimit thuhet se u fokusua në avancimin e iniciativave për forcimin e kapaciteteve profesionale të Policisë së Kosovës dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me partnerët ndërkombëtarë.
Gjatë vizitës, delegacioni i DEA-s zhvilloi gjithashtu një takim të veçantë me zyrtarë të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ku u diskutuan mundësitë konkrete për bashkëpunim të mëtejshëm dhe programe për zhvillimin e aftësive profesionale.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, së bashku me menaxhmentin e lartë, vlerësuan mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve amerikanë, duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikimit me narkotikë.