Policia e Kosovës, me anë të një komunikatë ka njoftuar se se ka vazhduar trajtimin dhe shqyrtimin e të gjitha njoftimeve/kërkesave për dorëheqje, nga zyrtarët policorë në veri të vendit.

Ata kanë njoftuar se 80 zyrtarëve të përfshirë në listën e njoftimit të dorëheqjeve iu është pranuar dorëheqja.

Kurse procesi i pakove të dorëheqjeve për zyrtarët e tjerë sipas policisë është duke vazhduar sipas procedurave dhe afateve ligjore.

“Referuar analizës së pakove të dorëheqjeve nga PK-ja dhe informacioneve zyrtare të pranuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) lidhur me rastet e hapura penale/apo administrative në proces, ka rezultuar se tetëdhjetë (80) zyrtarëve të përfshirë në listën e njoftimit të dorëheqjeve iu është pranuar dorëheqja. Ndaj të njëjtëve ka vazhduar procesi i njoftimit dhe lëshimi i vendimit mbi dorëheqjen”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Procesi i pakove të dorëheqjeve për punonjësit e tjerë është duke vazhduar sipas procedurave dhe afateve ligjore në fuqi, të njëjtat janë në proces të analizës dhe shqyrtimit, përderisa punonjësit e tjerë në proces, do të ftohen për kompletimin dhe vazhdimin e procedurave të mëtejme”, vijon njoftimi.

Drejtori i Policisë në Rajonin e Mitrovicës së Veriut, bashkë me të gjithë zyrtarët e policisë të komunitetit serb, kanë dhënë dorëheqje pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për ndalimin e targave ilegale në atë pjesë.