Policia e Kosovës, zyrtarisht, ka njoftuar për disa raste ku qytetarët shqiptarë janë ndaluar dhe maltretuar në veri të vendit, duke iu shkaktuar lëndime fizike dhe dëmtime në veturat e tyre.

Këta persona sipas Policisë së Kosovës, dyshohet se janë pjesë e organizimit të bllokimit të rrugëve.

“Deri më tani janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë janë ndaluar dhe maltretuar, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre, nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas njoftimit, vendimi për pajisje me dokumente hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, ka filluar të zbatohet.

Po ashtu, sipas policisë, dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bernjak vazhdojnë të mbesin të mbyllura për qarkullim, për shkak të bllokimit të rrugëve në ato pjesë.

“Dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bernjak vazhdojnë të mbesin të mbyllura për qarkullim, për shkak të vazhdimit të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre dy pikë kalimeve kufitare, të cilat janë bërë me mjete të rënda nga persona/grupe të organizuara kriminale”, thuhet në njoftim.

Në komunikatën zyrtare të policisë thuhet se gjatë ditës së diel, ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të Kosovës, si dhe në një rast është dëgjuar edhe një detonim.

“Informacionet zyrtare konfirmojnë se dje, më 31.07.2022 pas bllokimit të rrugëve në Veri të Mitrovicës, në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore si dhe në një rast është dëgjuar të ketë ndodhur një detonim. Fatmirësisht nuk raportohet për ndonjë qytetar apo zyrtar policorë të plagosur nga arma e zjarrit”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të gjitha veprimet e mëtutjeshme do t’i marrë në bashkëpunim me organet tjera të drejtësisë.