Policia e Kosovës ka bërë thirrje që qytetarët të jenë të kujdesshëm në komunikacion për shkak të motit me borë në këtë kohë të pranverës, e ku shumica e automjeteve sipas tyre tanimë janë me goma të verës.

“Kujdes të shtuar gjatë ngasjes në rrugë me ngrica!”

“Edhe pse jemi në stinën e pranverës dhe shumica e automjeteve në qarkullim mund të jenë me goma të verës, pas paralajmërimit se këtë javë gjatë natës dhe në orët e hershme të mëngjesit do të mbizotëroj mot me temperatura të ulëta (reshje të shiut, në lokacione të ndryshme mundësi për reshje bore, rrjedhje të ujit në rrugë e po ashtu edhe dëmtim i asfaltit dhe krijim i gropave)”, thuhet në paralajmërimin e policisë.

“Kërkohet nga SHOFERËT që të shtohet kujdesi gjatë qarkullimit në rrugë, ku me rënien e temperaturave krijohen ngrica që rrezikojnë seriozisht pjesëmarrësit në trafik”, ka apeluar Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës bazuar në kushtet meteorologjike apelon për kujdes të shtuar në trafik:

  • Përqendrohuni maksimalisht gjatë drejtimit të mjetit!
  • Mbani distancën e sigurt në mes mjeteve!
  • Përdorni rripin e sigurisë!
  • Respektoni kufizimet e shpejtësisë konform kushteve atmosferike të krijuara!
  • Mos përdorni telefoni mobil gjatë ngasjes!
  • Mos kryeni parakalime të ndaluara apo mos bëni manovra me mjet në rrugë!