Policia e Kosovës mohon se po i maltreton qytetarët, thotë se në Veri janë penguar nga një person i dehur
Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë me anë të së cilës i mohon lajmet për maltretim të qytetarëve gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare policore. Në njoftim thuhet se në publik janë duke qarkulluar disa informata, të cilat ata i kanë cilësuar të rreme, pasi sipas tyre, ato kanë për qëllim dezinformimin dhe krijimin […]
Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë me anë të së cilës i mohon lajmet për maltretim të qytetarëve gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare policore.
Në njoftim thuhet se në publik janë duke qarkulluar disa informata, të cilat ata i kanë cilësuar të rreme, pasi sipas tyre, ato kanë për qëllim dezinformimin dhe krijimin e pasigurisë te qytetarët.
“Qarkullimi i këtyre informacioneve të pavërteta, kanë për qëllim dezinformimin dhe krijimin e pa sigurisë te qytetarët. Ju sigurojmë se Policia e Kosovës përmes realizimit të detyrave dhe autorizimeve policore, ka të vetmin qëllim, parandalimin dhe luftimin e të gjitha llojeve të krimit dhe kontrabandës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallime”, thuhet në njoftim.
Në komunikatën e lëshuar thuhet se gjatë realizimit të detyrave të tyre në veri të Mitrovicës, disa zyrtarë policorë janë penguar nga një person, i cili sipas tyre, ishte në gjendje të dehur.
Ai sipas policisë, është shoqëruar për në stacionin policor.
“Gjatë realizimit të detyrave policore në një pikë kontrolli në veri të Mitrovicës, zyrtarët policorë kufitar janë penguar në kryerje të detyrës nga një person i cili ishte në gjendje të dehur, e i cili sipas procedurave policore, është shoqëruar në stacion policor”, thuhet në komunikatë.
Në fund të njoftimit thuhet se, ndaj atij personi do të merren veprime në bashkëpunim me organet e drejtësisë.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve “që të mos bien pre e informacioneve të tilla të pasakta”.















