Policia e Kosovës ka njoftuar se njësitet e Task Forcës–Lindje, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në dy aksione të ndara kanë arritur të konfiskojnë mallra të kontrabanduara.

“Ekipet e Task  Forcës–Lindje, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës në Viti dhe Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë (NjNSh) në Jarinje, në zbatim të masave për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren, të cilat kanë rezultuar me gjetjen e dy automjeteve të ngarkuara me mall të kontrabanduar”, thuhet në komunikatën për media nga Policia e Kosovës.

“Në rastin e parë, në rajonin e lindjes, më datën 20.11.2023, është vërejtur një automjet i dyshuar pa targa, i cili po lëvizte në rrugën Kabash-Smirë-Viti, i cili përkundër urdhrave të zyrtarëve policorë për ndalim ka tentuar që të largohet, ku gjatë ikjes ka shkaktuar aksident trafiku me njërën nga veturat zyrtare të PK-së, dhe si përfundim është ndaluar nga zyrtarët policorë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas policisë, në këtë rast janë kapur mallra në vlerë mbi 25 mijë euro.

“Të dyshuarit mashkull kosovar me iniciale M. M., gjatë kontrollimit të mjetit që e drejtonte i janë gjetur mallra të ngarkuara në vlerë tregu mbi 25.000 euro, mallra të cilat dyshohet se janë kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga RMV – RKS e që janë si në vijim”:

“Poça elektrikë – 7100 copë, rrush i terur rreth 300 kg, arra të qëruara rreth 1040 kg, arra indiane rreth 200 kg, tekstil jakne 158 copë, çanta krahu për femra 55 copë, jelek-mont 25 copë, çorape 6 palë dhe 1 palë këpucë për femra”, ka thënë ai.

Më tej, Policia e Kosovës ka njoftuar se me urdhër të prokurorit i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

“Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent në Gjilan, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa malli dhe automjeti i përfshirë në rast dërgohen në terminalin doganor Dheu i Bardhë” thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka hasur një veturë të braktisur gjatë patrullimit të NjNSh në Jarinjë, ku në këtë veturë kanë zbuluar se kishte mallra të kontrabanduara.

“Po ashtu, në të njëjtën datë, në rajonin e veriut, gjatë një patrullimi nga NjNSh në Jarinje, është gjetur një veturë e braktisur në fshatin Jellakce, ku e njëjta po ashtu ishte pa targa, në të cilën, ndodheshin mallrat e kontrabanduara (pijet alkoolike dhe të gazuara)”, thuhet në komunikatën për media nga Policia e Kosovës.

“Lidhur me rastin në vendngjarje kanë dalë njësitet përkatëse policore, është bërë tërheqja e mjetit i cili është dërguar në terminalin doganor Mitrovicë, në ndërkohë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore për procedurat e mëtejme hetimore”, ka përfunduar Komunikatën Policia.