Policia e Kosovës: Pesë të arrestuar e disa të lënduar në veri

Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me situatën në veri gjatë ditës së sotme duke theksuar se po vazhdon angazhimet e saja në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, të cilat po vazhdojnë pranë tri komunave në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan.

Në njoftimin e policisë është bërë e ditur se si pasojë e dhunës së shfrenuar deri më tani nga protestuesit serbë në Zveçan janë lënduar/plagosur disa zyrtarë të KFOR-it, si dhe deri më tani janë arrestuar pesë persona të dyshuar të cilët kanë përdorur sulme e dhunë ndaj tyre.

Po ashtu bëhet e ditur se një veture zyrtare të PK-së i është vënë zjarri si dhe janë dëmtuar edhe vetura tjera.

Tutje thuhet se policia ka qenë në vazhdimësi e koordinuar me KFOR-in për të menaxhuar situatën dhe se KFOR-i janë detyruar të veprojnë pasi nga dhuna e protestuesve është vënë në rrezik jeta e zyrtarëve, janë vënë në rrezik dëmtimi i automjeteve dhe prona publike.

Reagimi i policisë dhe KFOR-it ka ardhur pasi protestuesit në Zveqan nuk kanë zbatuar urdhrat zyrtar për largim, por kanë rezistuar dhe kanë filluar të hedhin mjete të ndryshme, koktej molotovi, shok bombë, mjete eksplozive si dhe janë dëgjuar gjuajtje me armë zjarri.

“Në Zveqan protestuesit kanë vazhduar të jenë jo paqësor dhe në vazhdimësi kanë provokuar situatën, kanë shfaqur dhunë, kanë gjuajtur gjësende të ndryshme në drejtim të zyrtarëve policorë, kanë vendosur e shkruar mbishkrime provokuese me simbole serbe e ruse në automjetet policore e të KFOR-it, si dhe kanë dëmtuar gomat dhe pjesë të tjera të automjeteve. Nga protestues të maskuar, janë penguar dhe rrezikuar edhe gazetarë të mediave të ndryshme të cilëve iu janë dëmtuar automjetet e tyre, prej tyre një veturë e kanë djegur, e po ashtu iu janë shkruar mbishkrime nacionaliste serbe. PK-ja sipas mundësive iu ka ofruar siguri mediave/gazetarëve duke i zhvendosur në perimetër të sigurisë. Alarmet janë lëshuar në vazhdimësi në komunat veriore me qëllim të ri-mobilizimit të tyre, deri më tani edhe në Leposaviq protestuesit kanë gjuajtur gjësende të ndryshme dhe fishekzjarre/mjete piroteknike ndaj zyrtarëve dhe mjeteve policore”, thuhet në njoftim.

Përkundër këtyre thuhet se Policia e Kosovës është treguar profesionale dhe e vetëpërmbajtur, duke i shmangur provokimet në vazhdimësi, si dhe ka kërkuar nga protestuesit që të protestojnë në mënyrë të qetë, të mos sulmojnë dhe rrezikojnë jetën e zyrtarëve policorë, të lirojnë rrugën dhe mjetet zyrtare për qarkullim, si dhe të mos dëmtojnë mjetet policore e të qytetarëve, me qëllim të mostensionimit të situatës.

Tutje policia e Kosovës vazhdon në menaxhimin e situatës në koordinim me KFOR-in dhe ka filluar hetimet intensive, lidhur me dhunën dhe sulmet e shkaktuara ndaj mediave, pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë.

Theksohet se protesta është ende duke vazhduar, situata vazhdon të jetë e tensionuar sidomos në Zveqan, pasi aty dhe në komuna tjera po qarkullojnë persona/grupe kriminale të armatosur, të veshur në rroba të zeza e të maskuar.

Duke parë rrethanat dhe situatën e tensionuar të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit, Policia e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e provokimeve të çfarëdo natyre qofshin ato.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika