Policia e Kosovës e ka lëshuar një komunikatë për media ku ka thënë se ajo e ka rritur patrullimin në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, për shkak të raportimeve se janë rrëmbyer qytetarë serbë nga grupet kriminale.

“Kërcënimet dhe rrezikimi i sigurisë së qytetarëve në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, kanë krijuar rrethana të domosdoshme në ngritjen e kapaciteteve policore në menaxhimin e situatës së sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve kriminale”, ka thënë Policia e Kosovës.

Më tej, ajo i ka falënderuar qytetarët e Kosovës për ofrimin e informatave të rëndësishme, duke shtuar se ky bashkëpunim duhet të vazhdojë edhe në vijmë.

“Policia Kosovës, njësitet përkatëse të saj, janë duke i trajtuar me seriozitet këto informata dhe janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e tyre”, thuhet në njoftim.

“Në funksion të kësaj, përveç angazhimeve aktive, janë vendosur edhe pika kontrolli të automjeteve nëpër qytete dhe akse rrugore”, vijon njoftimi.

Ditëve të fundit ka pasur informacione, raportime dhe publikime në media, lidhur me rrëmbimin, rrahjen dhe keqtrajtimin e disa qytetarëve serbë nga pjesëtarë të strukturave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës, këto veprime kriminale, i kanë quajtur tendenca që kanë për qëllim krijimin e panikut dhe frikës te qytetarët serbë në veri të Kosovës.