Policia e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së Eparkisë Rashkë-Prizren, duke i cilësuar si të pabazuara pretendimet se ky institucion zhvillon politikë të presionit, diskriminimit apo frikësimit ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Në një komunikatë për media, Policia ka thënë se pretendime të tilla nuk mbështeten në fakte dhe krijojnë, një perceptim të pavërtetë për mandatin dhe mënyrën e funksionimit të institucionit, njofton Dukagjini.
“Policia e Kosovës është institucion kushtetues dhe profesional, i themeluar mbi parimet e shtetit demokratik dhe sundimit të ligjit. Në përbërjen e saj shërbejnë zyrtarë policorë nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Republikën e Kosovës, përfshirë komunitetin serb”, thuhet në komunikatë.
Sipas Policisë, përbërja shumetnike e institucionit, mekanizmat e mbikëqyrjes civile dhe institucionale, si dhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë, përjashtojnë çdo pretendim se veprimet policore bëhen mbi baza etnike, fetare apo politike.
Tutje thuhet se Policia për më shumë se një dekadë ka garantuar sigurinë e qindra ceremonive fetare, pelegrinazheve dhe aktiviteteve të Kishës Ortodokse Serbe në të gjithë territorin e Kosovës.
Sipas Policisë, edhe ceremonia e 28 qershorit 2026 në Gazimestan është zhvilluar sipas një plani të posaçëm operacional dhe pa ndërhyrje apo pengesa nga ana e saj.
“Veprimet policore të ndërmarra pas përfundimit të ceremonisë nuk kanë qenë të drejtuara ndaj besimtarëve, identitetit serb apo riteve fetare. Masat policore janë ndërmarrë vetëm ndaj personave për të cilët kanë ekzistuar dyshime të arsyeshme për sjellje që përbënin elemente të nxitjes së urrejtjes, provokimit ose cenimit të rendit publik”, thuhet në komunikatë.
Policia ka sqaruar se vendimet për gjoba, dëbim apo ndalim hyrjeje nuk janë marrë nga Policia e Kosovës, por nga organet kompetente administrative dhe gjyqësore, bazuar në secilin rast veç e veç.
Në komunikatë është theksuar edhe roli i Policisë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare. Sipas saj, pas transferimit të përgjegjësive nga KFOR-i, Policia e Kosovës ka marrë përsipër sigurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare përmes Drejtorisë për Sigurimin e Objekteve të Trashëgimisë Kulturore (DSOTK).
Sipas të dhënave të Policisë, DSOTK përbëhet nga pjesëtarë të të gjitha komuniteteve, ndërsa mbi 16 për qind e pjesëtarëve të saj janë nga komuniteti serb. Në krye të kësaj drejtorie, sipas Policisë, është një major nga komuniteti serb.
Aktualisht, Policia thotë se siguron 24 objekte të trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe 24 orë në ditë, ndërsa varrezat e të gjitha komuniteteve monitorohen në baza të rregullta nga policët e komunitetit.
Sipas statistikave të prezantuara në komunikatë, gjatë vitit 2024 janë evidentuar 53 raste në objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare, prej të cilave 34 kanë ndodhur në objekte myslimane, 16 në objekte ortodokse dhe 3 në objekte katolike.
Në vitin 2025, nga 35 raste të evidentuara, 22 kanë ndodhur në objekte myslimane, 10 në objekte ortodokse dhe 3 në objekte katolike. Ndërsa gjatë periudhës janar-qershor 2026, Policia ka evidentuar 34 raste, prej të cilave 27 në objekte myslimane, 5 në objekte ortodokse dhe 2 në objekte katolike.
Policia ka bërë të ditur se shumica e rasteve në objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare lidhen me motive pasurore, kryesisht vjedhje dhe vjedhje të rënda.
Duke iu referuar edhe një rasti në një fshat të Podujevës, Policia ka thënë se më 21 maj 2025 ka iniciuar rastin “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërsa veprimet janë ndërmarrë në koordinim me organet e drejtësisë.
Në fund, Policia ka theksuar se rastet me motive të mundshme ndëretnike trajtohen me paanshmëri dhe profesionalizëm, duke bërë të ditur se numri i tyre ka shënuar rënie: nga 31 raste në vitin 2023, në 25 raste në vitin 2024 dhe në 5 raste gjatë vitit 2025.