Në stacionin e Policisë së Kosovës  që gjendet në Mitrovicën Veriore, në ora 11:00 u paraqit  Ivan Zaporozhaqin, kryetar i të ashtuquajturës, Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Mitrovicës.

I njëjti nuk u mbajt as një orë nga Policia e Kosovës, e pastaj doli para gazetarëve.

Ai theksoi se dyshohet për falsifikim dokumentesh dhe se nuk mund të thotë asgjë tjetër për këtë megjithëse shtoi se është krenar për punën që ka kryer.

“Thjesht ka tensione të mëdha, gjëra të mëdha kanë ndodhur para disa ditësh. E vetmja gjë që mund të them është se jam këtu, që i gjithë populli serb këtu në territorin e Mitrovicës së Kosovës duhet të jetë aty, të jetë i qetë dhe se ne besojmë se e gjithë kjo do të kalojë dhe se ne do të qëndrojmë dhe do të mbijetojmë në këto zona,” tha Zaporozhaqin.

Përveç tij, për intervistim janë ftuar edhe 4 persona të tjerë që lidhen me komunat ilegale të strukturave serbe që u mbyllën nga Policia e Kosovës ditë më parë, ndër ta edhe anëtari i Listës Serbe, Igor Simiq.

Por, ai është ftuar në cilësinë e Drejtorit të Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, institucion që po ashtu funksiononte brenda objekteve që u morën nën kontroll nga policia.

Megjithatë, organet e rendit dhe ligjit i thanë televizionit se jo të gjithë kanë pranuar ftesën.

Nga Policia e Kosovës nuk pranuan të japin informacione në lidhje me intervistimin e pesë personave, megjithatë UD. drejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës së Veriut Veton Elashni tha se nga 5 të ftuarit 4 kanë pranuar ftesën dhe një jo.

Reagime të shumta nxiti veprimi i institucioneve të Kosovës që të marr në kontroll këto objekte, që kryesisht janë prona të komunave por që aty aktivitetin e kanë zhvilluar institucionet paralele të Serbisë.

Për shuarjen e tyre kishte marrëveshje edhe në Bruksel në kuadër të dialogut mes Kosovës e Serbisë, por megjithkëtë jo vetëm BE-ja por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënuan këtë veprim të Kosovës me arsyetimin se ishte i pakoordinuar.