Dy persona kanë humbur jetën dhe tre të tjerë janë lënduar pas një ngjarjeje tragjike në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin, ka konfrimuar Policia e Shtetit.
Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30, kur pesë shtetas nga Kosova kanë hyrë në det për t’u larë. Për shkak të dallgëve të forta të shkaktuara nga era, ata janë gjendur në vështirësi dhe kanë rrezikuar mbytjen.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë qytetarë me Jet Ski, së bashku me Policinë Kufitare dhe shërbimet e emergjencës, të cilat kanë arritur të nxjerrin nga deti të pesë personat dhe t’i dërgojnë me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lezhës.
Megjithatë, sipas autoriteteve shëndetësore, dy prej tyre kanë ndërruar jetë, ndërsa tre të tjerët po marrin trajtim mjekësor.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
“Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës. Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore. Sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka njoftuar Policia e rajonit të Lezhës, raporton “Top Channel”.